Anija kërkimore Oruc Reis është kthyer në portin e Antaljas për herë të parë pas tensioneve të përshkallëzuara me Athinën për Mesdheun Lindor.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në një deklaratë për mediat këtë të dielë përshëndeti vendimin, por këmbënguli se dialogu, është mënyra e vetme për një klimë pa provokime me Turqinë.

KYRIAKOS MITSOTAKIS
KRYEMINISTER I GREQISE

“Kthimi i Oruch Reyes është një hap pozitiv dhe shpresojmë të vazhdojë. Ne kërkojmë dialog, por pa sfida dhe veprime të njëanshme. Dua të besoj se ky është hapi i parë për t’i dhënë fund përshkallëzimit të tensioneve. Nëse shohim hapa të tillë, ne jemi gati të fillojmë një raund të ri bisedimesh mbi demarkacionin e zonave detare. Nëse kjo është temë diskutimi, veprime të tilla duhet të shmangen për të pasur një dialog”

Mitsotakis foli edhe për vendimin e qeverisë për blerjen e 18 aeroplanëve luftarakë francez, 4 fregata dhe katër helikopterë të marinës.

 

KYRIAKOS MITSOTAKIS
KRYEMINISTER I GREQISE

 “Ky është një program ambicioz, por brenda mundësive të vendit. Ne e pranojmë që Forcat e Armatosura nuk janë vetëm përforcime, por edhe burime njerëzore. Për një dekadë nuk është bërë asnjë investim në flotën detare”

 

Vendimi i Athinës vjen në mesin e tensioneve që gati sa nuk çuan në një përplasje ushtarake mes dy vendeve.

Më herët, Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan tha për mediat se “Turqia nuk njeh asnjë fuqi mbi fuqinë e popullit turk” e se mund të ndërhyjë në çdolloj përpjekjeje nëse është e nevojshme”.

Erdogan përcolli dhe një mesazh për francën dhe presidentin Macron duke thënë që të mos ngatërrohet me popullin turk.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *