Në drejtimin e Kryetares, Elisa Spiropali, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve.
Konferenca shqyrtoi projektprogramin e punës së Kuvendit për periudhën 29 Maj-8 Korrik 2025 dhe projektkalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 29 Maj-18 Qershor 2025. Konferenca e Kryetarëve nuk arriti dakordësi dhe çështja i kaloi për votim seancës plenare.
Në Konferencën e Kryetarëve nuk munguan as debatet, e sidomos mes Gazment Bardhit, kreut të grupit parlamentar të PD dhe kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali e Taulant Ballës.
Bardhi akuzoi se e kanë kthyer Kuvendin në pronë private, ndërsa vijoi me pretendimet për ‘dhunim zgjedhjesh’.
“E keni kthyer kuvendin si pronë private. Vini këtu sikur jeni kthyer nga Suedia, ku në fakt jeni kthyer nga një llum që e keni krijuar ju me duart tuaja. Keni caktuar një seancë turpi për të bërë vetëm ti foto aty. Nuk keni caktuar dhe nuk keni lënë as çështje jashtë rendit të ditës. Këtë e garanton rregullorja e Kuvendit. Unë e kuptoj që ju nuk doni debat sepse doni ta trajtoni sikur jeni kthyer nga pushimet, ku në fakt ju jeni kthyer nga drejtimi i një grupi të strukturuar kriminal, ku vodhët dhe dhunuat zgjedhjet duke e krahasuar Shqipërinë me Sirinë. Nuk mund ta trajtoni kuvendin si pronë private e as vendin si normalitet. Siç e thotë OSBE ju keni shkallmuar barazinë në zgjedhje dhe keni rrëzuar nenin 1 të Kushtetutës. E përsëris ju doni që Shqipëria të krahasohet me Rusinë apo me Serbinë”, tha Bardhi.
/vizionplus.tv





