I kishte munguar Korçës prej kohësh, por dy vitet e fundit orkestra simfonike e këtij qyteti ka sjellë denjësisht performancën e saj për festat e fundvitit
Në një sallë të tejmbushur në teatrin “Andon Zako Çajupi”, erdhën notat botërore festive, nën dirigjimin e Petrika Afezolli.
“Shoh që ka interes të jashtëzakonshëm, e meritojnë këtë duartrokitje”, tha Afezolli.
Ilir Zguri, instrumentist, njëkohësisht drejtor i shkollës artistike në Korçë tregon se ky qytet po prodhon talente dhe kjo orkestër do të jetojë gjatë.
“Nuk bëhet me fjalë për ringjallje, ka interpretim të niveleve të larta. Sektorë të plotësuar, ata që vijnë janë nga më të mirët por baza është orkestra e Korçës. Shancet janë të rritet. Së shpejti vjen një brez shumë i mirë artistësh”, thotë Zguri.
Pothuajse çdo ditë do të ketë aktivitete kulturore dhe artistike në teatër e po ashtu Pazarin e Vjetër të Korçës dhe pedonale, për turistët vendas e të huaj që zgjedhin Korçën për të kaluar festat e fundvitit./vizionplus.tv





