Socialistët dhe demokratët kanë arritur kompromisin e parë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, duke hartuar projekt-ligjin për financimin e partive politike. Deri më tani, Shqipëria nuk ka pasur një ligj specifik për financimin e partive dhe hartimi i tij është kërkesë e veçantë e Bashkimit Evropian si kusht për procesin e negociatave. Drafti rregullon vetëm financat e partive jashtë fushatave elektorale dhe vendos rregulla për transparencën e financimit, ndërsa Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbetet institucioni që kontrollon shpenzimet e forcave politike.
Ligji detyron partitë të kenë llogari bankare dhe sanksionon se çdo dhurim mbi 50 mijë lekë të bëhet nëpërmjet bankave.
“Të ardhurat dhe shpenzimet financiare të lejuara sipas dispozitave të këtij ligji, përveç kuotave të anëtarësisë, realizohen nëpërmjet transaksioneve bankare. Të ardhurat nga kuotat e anëtarësisë, të cilat realizohen në para cash, derdhen në llogarinë bankare të partisë politike jo më vonë se 5 ditë nga dita e pranimit të tyre.
Çdo dhurim në të holla me vlerë mbi 50 000 lekë duhet të bëhet vetëm nëpërmjet sistemit bankar.”
Ligji detyron partitë që të bëjnë transparente shpenzimet edhe në faqen e tyre, jo vetëm në faqen e KQZ-së, siç ka qenë deri tani.
“Çdo parti politike që përfaqësohet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë ka këto detyrime:
a) të publikojë në faqen zyrtare të saj në internet brenda muajit dhjetor të çdo viti të gjitha shpenzimet që kreu gjatë vitit kalendarik;
b) të bëjë publike në faqen zyrtare të saj në internet brenda muajit dhjetor të çdo viti listën e dhuruesve, që përfshin emrin dhe mbiemrin, në rast të personit fizik, apo emrin e personit juridik, si dhe llojin, shumën dhe datën e kontributit.”
Formula e shpërndarjes së parave nga buxheti i shtetit për partitë politike nuk ndryshon, por është vendosur për herë të parë elementi i indeksimit për inflacionin.
“Këshilli i Ministrave indekson çdo dy vjet shumën e Fondit Publik. Niveli i indeksimit nuk kalon një pikë përqindjeje mbi nivelin e targetuar të inflacionit nga Banka e Shqipërisë.”
Në këtë ligj vendosen edhe rregulla të forta për ata që ndalohen t’u dhurojnë para partive politike, si subjektet e huaja, personat anonimë, shoqëritë me kapital shtetëror, entet publike, shoqëritë me koncesione, OJF-të, subjektet debitorë dhe personat e dënuar për krime të caktuara.
/vizionplus.tv





