Policia shqiptare nuk ka bërë ende asnjë kërkesë për informacion apo verifikim pranë autoriteteve braziliane, për 617 kilogramë kokainë të zbuluar në pako që mbanin logon e Klubit të Futbollit të Elbasanit.
Ndonëse dyshimet janë shumë të forta se sasia e madhe e lëndës narkotike mund të ketë patur destinacion Shqipërinë, zyra e antidrogës nuk është vënë në lëvizje.
Ndërkohë në Brazil, u bënë publike të tjera detaje nga operacioni më i madh kundër trafikimit të kokainës që u zhvillua në një fermë në Brasnorte.
Policia Federale në bashkëpunim me Policinë Kufitare e gjeti drogën te fshehur në bazamentin e dyfishtë të dy kamionëve të ndryshëm që përdoreshin në fermë. Autoritetet kishin marrë vazhdimisht telefonata të qytetarëve që ankoheshin se makinat mund të përdoreshin për qëllime të tjera.
Shoferi I njërit prej kamionëve pranoi se do të paguhej 10 mijë dollar për transportin e kokainës. Ndërsa 2 mijë dollare do ti merrte pronari I fermës.
Trafikantët kishin krijuar edhe rrugët e tyre përgjatë lumejve për të bërë më të lehtë kalimin e drogës dhe dërgimin e saj në destinacion.
Autoritetet në Brazil kanë vënë në pranga 4 persona, mes tyre edhe një grua, ndërkohë që qytetarët janë njoftuar të denoncojnë kundrejt shpërblimit financiar, të tjerë trafikantë droge.
Sipas policisë, lënda narkotike prej 617 kilogramë kokainë, mund të shitej për 9 milionë dollarë. Destinacioni i drogës ishte tregu europian.