Nëse kapesh në timon i dehur, me vlerë alkooli 0.5 gram për litër, dhe je përsëritës në këtë shkelje, duhet të harrosh patentën. Leja e drejtimit do t’u hiqet përgjithmonë të dehurve në timon, nëse evidentohen nga uniformat blu. Policia e Shtetit ka sqaruar, përmes një deklarate për mediat, ndryshimet e fundit të Kodit Rrugor, duke apeluar përdoruesit e rrugës që të kenë kujdes nga ashpërsimet e masave ndëshkuese.
“Heqjen përgjithmonë të lejes së drejtimit kur një drejtues mjeti rezulton me një vlerë alkoolike më të lartë se 0.5 gram për litër (g/l) në gjak dhe është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur. Kjo masë vjen si nevojë e adresimit të fenomenit shqetësues të aksidenteve rrugore me pasoja, për shkak të drejtimit të mjetit nën ndikimin e alkoolit apo në gjendje të dehur,” tha, Drejtor i Policisë Rrugore, Perlat Vatoci.
Jo vetëm në rrugët nacionale, por shqetësim ka qenë dhe siguria rrugore në zonat urbane, sidomos pranë shkollave. Çdo manovër e rrezikshme do të gjobitet deri në 600 mijë lekë të vjetra.
“Ashpërsimin e masave ndaj sjelljeve të rrezikshme në rrugë, mosrregullimit të shpejtësisë në rrugë me fushëpamje të kufizuar, përfshirë manovrat agresive, ndryshimet e shpeshta të korsisë pa sinjalizim dhe shkeljet që rrezikojnë përdoruesit e tjerë të rrugës, në zonat urbane, në afërsi të shkollave, kryqëzime apo edhe degëzime. Masa administrative për këtë shkelje është rritur nga 20 000 deri në 60 000 lekë.”
Patenta i hiqet shoferit edhe kur ky i fundit kapet 2 herë me celular.
Pezullimin e lejes së drejtimit në rast se një drejtues mjeti është ndëshkuar dy herë brenda të njëjtit vit për përdorim të aparatit celular, nga tre që ishte përpara miratimit të këtij ligji.
Shpresa për të paguar dyfish gjobën për të shpëtuar lejen e drejtimit nuk gjen vend në Kodin e ri Rrugor, pasi kjo e drejtë nuk do të ekzistojë më.
“Nëse deri përpara datës 7 gusht, një drejtues mjeti, i evidentuar/kapur në shkelje të një norme/dispozite të Kodit Rrugor, ku, përveç masës administrative në vlerë monetare, parashikohej edhe masë administrative plotësuese, “pezullim i lejes së drejtimit”, kishte opsionin për të paguar dyfishin e vlerës maksimale të gjobës, me qëllim mosaplikimin e masës plotësuese të pezullimit të lejes së drejtimit, kjo mundësi tashmë, me ndryshimet e reja, është hequr dhe leja e drejtimit pezullohet automatikisht.”, tha Vatoci.
Kodi i ri Rrugor ka sanksione edhe për drejtuesit e rinj, duke u vendosur atyre limite jo vetëm te shpejtësia, por e kanë të ndaluar rreptësisht përdorimin e alkoolit.
/vizionplus.tv





