Tre muaj nga hyrja në fuqi e vendimit, që ndalon prodhimin dhe importimin, përdorimi i qeseve plastike të pariciklueshme ka rënë me 70%.  Kjo është një shifër që tregon se tashmë qeset e përdorura nga qytetarët shqiptarë janë në përputhje me standartet e kërkuara.

 

Të dhënat sipas drejtuesve të ministrisë së mjedisit tregojnë  se qytetarët e kanë pritur pozitivisht  këtë nisëm. Ndërkohë ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, në një lidhje direkte për edicionin qëndror të lajmeve në Vizion Plus theksoi se kjo është një nismë për të eleminuar sa më shumë ndotjen që sillte përdorimi i tyre për vendin tonë.

 

Gjithashtu ministri ka folur dhe për vendimin që nga 1 janari do të ndalohet importimi i makinave të vjetra me përdorim më shumë se 10 vjet.

 

“Sqaroj se  nuk bëhet fjalë për heqje nga qarkullimi në Shqipëri i makinave më të vjetra se 10 vjet, por me këtë vendim ne nuk do të lejojmë që nga 1 janari i vitit që vjen të futen më në Shqipëri makina të përdorura më shumë se 10 vjet.”

 

Më poshtë intervista e plotë e ministrit Klosi e dhënë për Vizion Plus:

 

Cila do të ishte alternativa për qytetarët nëse do të ecet me këto ritme, ku do ti gjejnë ato qeset?

Përsa i përket qeseve plastike që ne kërkuam që të hiqen nga përdorimi, sot ndjej që janë hequr pothuajse tërësisht, shifra prej 70% është  reduktimi i numrit total i qeseve që përdoren sot në vendin tonë, ato që kemi kërkuar është që të vendosen në përdorim qeset që janë të trasha, dhe të jenë të degradueshme, është kërkuar që të përdoren qese të cilat janë me disa përdorime, dhe po ashtu të fillohet me shpejtësi ajo që ndodh në disa vende të Bashkimit Evropian, dhe duhet të ndodhë dhe në shqipëri kalimi drejt qeseve të letrës apo përdorimi i torbave klasike, të cilat bëjnë të  mundur një ambjent më të pastër për vendin tonë.

 

Kjo do të thotë se do të rritet prodhimi i qeseve të letrës nga industria vendase apo qytetarët duhet të mendojnë thjeshtë të marrin torbën me vete kur të shkojnë në Pazar?

Idealja do të ishte që të merrej torba me vete, për këtë e kemi dhe ne fushatën tonë më të madhe. Në radhë të parë për reduktimin e numrit të qeseve ne kemi kërkuar që të ketë një dashamirsi dhe revoltë qytetare karshi një situate të patrajtuar siç duhet të mjedisit dhe do të jemi të suksesshëm nëse qytetarët refuzojnë përdorimin e qeseve të holla atyre qeseve njëpërdorimshme, që janë dhe një ndër asetet më të vështira për tu trajtuar në vendet e depozitimit të mbetjeve urbane të cilat bëjnë të gjithë ciklin e trajtimin e menaxhimin e mbetjeve urbane, pasi duke qenë në sasi shumë të madhe kanë sjellë që në të gjithë vendet e depozitimit ajo që krijon problem më të madh është përdorimi i qeseve.

 

Zoti ministër tjetër ceshtje, mjaft sensitive është ajo që ka të bëjë me nismën tuaj me idenë tuaj, që duke filluar nga 1 janari i vitit të ardhshëm të ndalohet importimi i makinave që janë më të vjetra se 10-vjeçare. Ku jeni bazuar që e keni caktuar këtë limit?

Në radhë  të parë kjo nuk është një ide shqiptare, nuk është një ide e ministrisë në kohën që unë jam ministër, është një vendim i parlamentit shqiptar që nëpërmjet ligjit të vitit 2012, për hermetimet në ajër i cili kërkon që të ketë një reduktim të numrit të makinave të përdorura që importohen në vendin tonë. Unë e di që ka një debat shumë të madh në Shqipëri pasi dhe sqarimi është shumë i nevojshëm, për këtë ju falenderoj që më jepni mundësinë të bëj këtë ndërhyrje, pasi une dhe stafi i ministrisë jemi të gatshëm që në çdo debat që do të ushtrojë televizioni juaj do të jemi pjessmarrës. Ajo që ndodh sot në BE është mosregjistrimi i makinave që nuk janë të targetuara me përdorimin e karburantit me normën V6 dhe V 6+ në shumë qytete evropiane nuk lejohet që të futen makina me diesel,  i gjithë rajoni nuk i pranon makinat apo targimin e makinave jashtë këtij niveli. Kosova prej dy vitesh e ka vendosur nivelin e 10 viteve të moslejimit të importimit të makinave të përdorura dhe do të doja të sqaroja se  nuk bëhet fjalë për heqje nga qarkullimi në Shqipëri i makinave më të vjetra se 10 vjet, por me këtë vendim ne nuk do të lejojmë që nga 1 janari i vitit që vjen të futen më në Shqipëri makina të përdorura më shumë se 10 vjet.

 

Z.Klosi ju po i referoheni vendeve të Evropës dhe sigurisht Shqipëria dhe populli shqiptar aspiron për të marrë shembull nga Europa, por të ardhurat dihet që janë në diferencë shumë të madhe. Pra me këtë masë qytetarëve a nuk do tju duhet të shpenzonin shumë më tepër automjete të rinj që janë më pak se 10-vjeçar?

Në fakt ky është një ndër problemet më të mëdha në politikat që ne bëjmë që kanë më shumë nevojë për tu shpjeguar dhe për tu kuptuar drejt. Ajo që thatë ju është dhe thelbi i bisedës është keqkuptimi i madh, e gjithë kjo masë po bëhet për qytetarë, nga e gjithë kjo masë kërkohet që të mbrohen qytetarët e nivelit të mesëm e më poshtë pasi qytetarët e një niveli të caktuar ekonomik edhe sot nuk marrin makina më të vjetra se 10 vjet, por për të mbrojtur këto qytetarë që kanë pak mundësi financiare për të marrë një makinë, ne nuk po i lejojmë që të marrin makina të cilat janë të bukura nga pamja e jashtme, por pranë vdekjes, pasi dhe makinat si çdo gjë tjetër kanë një jetëgjatësi të caktuar dhe kur kalon mbi 15 vjet ajo makinë mund të përdoret vetëm për skrap. Ajo që ndodh sot në Shqipëri dhe ajo që ju thatë që ato që nuk kanë sot mundësi të blejnë një makinë një makinë që e mbajnë 1-2 vjet dhe më pas e dërgojnë për skap. Ndërkohë ne kërkojmë që të futet në Shqipëri tregu i makinave të përdorura por që të jetë brenda sistemit shqiptar, ne kërkojmë që të mos lejohet më futja e makinave në Shqipëri vetëm për demontim. Meqenëse në Evropë është e kushtueshme që të demontohet një makinë, Shqipëria është kthyer në një kazan për makinat e përdorura. Me këto makina qytetarët harxhojnë shumë më tepër lek për karburantin dhe ky është një problem shumë i madh dhe kundër iniciatives sonë harxhojmë para të kalkuluara nga kalkulime tona rreth 2-3 mijë euro në vit për ti mirëmbajtur këto makina dhe ky është një shpenzim shumë i madh dhe në rast se do të blenim një makinë që nuk është më e vjetër se 10 vjet por ka akoma vite për të jetuar.

 

Zoti Klosi ju jeni njëkohësisht ministër i turizmit, si ishte sezoni turistik, INSTAT thotë se 25% më shumë turistë erdhën për gjashtë muaj, krahasuar me një vit më parë. Çfarë leksioni nxori ky sezoni turistik i verës për ministrinë tuaj?

6 muajt e parë shifra ishte 25 % por ama në shtator patëm 28 % më shumë turist sesa shtatorin e vitit të kaluar. Në fakt gushti dhe shtatori shënuan 44 %  më shumë turiste sesa shtatori i vitit të kaluar kjo tregoi se ne arritëm ta zgjerojmë sezonin, arritëm ta kalojmë atë sezonin klasik 45 ditë në 5- muaj të vitit, kemi tetorin me një numër të konsiderueshëm prurjesh të turistëve të huaj, kemi një rritje të madhe. Por në konceptin tim si ministër dhe si drejtues i ministrisë së turizmit rritja e numrit të turistëve na rrit shumë më tepër përgjegjësitë edhe numri i cilësisë së turistëve, nga i gjithë rajoni dhe nga Evropa po ashtu na bën të kuptojmë se për vitin tjetër duhet të mendohemi shumë më tepër se për vitin që lamë pas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *