Subscribe

Një konflikt banal mes dy familjeve në qytetin e vogël të Klosit përfundoi në një masakër. 3 persona mbetën të vdekur dhe dy të tjerë të plagosur.

 

Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 14:00 në një lokal në qendër të qytetit, ku Fiqiri Mjeshtri në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, qëlloi me armë zjarri në drejtim të 46-vjeçarit, Liri Shira dhe djalit të tij 17-vjeçar Kenado Shira.

 

Nga të shtënat humbi jetën në vend adoleshenti, ndërsa u plagos rëndë babai i tij. Plumbat kapën dhe dy miqtë e tyre që ndodheshin në të njëjtën tavolinë me ta, Eglantin e Renato Hasula, babë e bir.

 

Tre të plagosurit u dërguan me urgjencë drejt spitalit për ndihmë mjekësore, por 46-vjeçari Liri Shira nuk mundi të mbijetojë. Ndërkohë, Eglantin Hasula dhe djali i tij 14-vjeç u transportuan drejt spitalit të Traumës në Tiranë. Sipas mjekeve, i mituri ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i ati është në gjendje të rëndë.

 

Nga dëshmitë e para dyshohet se ngjarja tragjike ndodhi pasi 17-vjeçari Kenado Shira i kishte ngacmuar vajzën autorit. Fiqiri Mjeshtri, së bashku me vëllezërit e tij, shkuan në lokal për t’u sqaruar. Por, debati degradoi në sharje e ofendime, e më pas në përdorim të armës së zjarrit.

 

Forca të shumta policie mbërritën në vendngjarje, ndërsa u vunë në ndjekje të autorëve, të cilët u larguan me shpejtësi. Gjatë arratisë, 39-vjeçari Fiqiri Mjeshtri dyshohet se u vetëvra pasi u gjet i pajetë pranë banesës së tij në fshatin Dars. Ndërkohë, u arrestuan dy vëllezërit e tij, Fatmir e Besnik Mjeshtri.

 

Për të shmangur një përshkallëzim të situatës, në qytetin e Klosit mbërritën forca të shumta policie, ndërsa hetuesit po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *