Kina shpalli sot sanksione ndaj katër anëtarëve të Komisionit të qeverisë amerikane për Liritë Fetare, në shenjë hakmarrjeje për masat e marra kundër zyrtarëve kinezë të akuzuar për shkelje në provincën veriperëndimore Xinjiang.

 

Njoftimi i sotëm (e martë) shton më tej tensionet mes dy vendeve rreth provincës Xinjiang. Uashingtoni ka ndaluar importimin e mallrave të prodhuara në këtë rajon, që dyshohet se prodhohen nga puna e detyruar e të burgosurve dhe internuarve. Kina i mohon akuzat.

 

Zyrtarët amerikanë nën sanksione nga Kina janë kryetarja e komisionit për liritë fetare Nadine Maenza, nënkryetari Nury Turkel dhe anëtarët Anurima Bhargava dhe James Carr. Ata nuk do të lejohen të hyjnë në Kinë, Hong Kong dhe Makau.

 

Kina kishte bërë të ditur se do të hakmerrej pasi Departamenti i Thesarit shpalli më 10 dhjetor sanksione ndaj dy zyrtarëve kinezë për përfshirjen e tyre në shtypjen e pakicës ujgure dhe pakicave të tjera myslimane në provincën Xinjiang./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.