Franca dhe Kina kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët ku riafirmojnë angazhimin e tyre për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar për ndryshimin e klimës dhe për të siguruar zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Parisit. Dy vendet e konsiderojnë paktin e klimës të vitit 2015 si një proces të pakthyeshëm dhe një busull për një veprim të fortë mbi klimën.

Nga ana tjetër, administrata Trump ka nisur procedurat për tërheqjen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit duke e quajtur atë joefektive dhe një barrë të rëndë ekonomike për amerikanët.

Ndërkohë, më shumë se 11.200 shkencëtarë nga 153 vende të ndryshme, kanë nënshkruar një deklaratë ku paralajmërojnë se nuk bëhet më fjalë për ndryshime klimatike por emergjencë klimatike.

Ata flasin për pasoja të rënda që do të ndodhin në mënyrë të pashmangshme nëse nuk ka një zhvendosje radikale dhe të qëndrueshme në aktivitetet njerëzore që përkeqësojnë klimën dhe rritin temperaturën përmes emetimeve të “gazit serë”.

Deklarata, e botuar në revistën BioScience, bazohet në një analizë të të dhënave shkencore nga 40 vitet e fundit duke përfshirë shumë fusha, siç janë emetimet e gazrave, përdorimi i energjisë, temperaturat , rritja e popullsisë, shpyllëzimi, shkrirja e akullit si dhe normat e rritjes së PBB-së.

Aktualisht, theksojnë shkencëtarët, nuk po arrihet ndonjë përparim konkret në këtë drejtim dhe të gjithë ne duhet të reflektojmë dhe të shqetësohemi për ndryshimet e klimës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *