Kievi dëshiron të bindë ukrainasit që jetojnë në vende të tjera evropiane për t’u bashkuar me forcat e armatosura duke krijuar një njësi të re, “Lidhja e Ukrainës”, e cila do të bazohet dhe stërvitet në Poloni, njoftoi sot Ministria e Mbrojtjes.

Kievi, ushtria e të cilit është dobësuar nga viktima të shumta pas dy vjet e gjysmë lufte, po përpiqet të plotësojë radhët e saj. Autoritetet ukrainase kanë rritur tashmë rekrutimin brenda vendit, kryesisht falë një ligji të ri të miratuar në maj.

Tani ata duan të rekrutojnë disa nga qindra mijëra ukrainas që jetojnë në Evropë, kryesisht në Poloni dhe Gjermani, disa prej të cilëve janë larguar ilegalisht nga vendi pikërisht për të shmangur rekrutimin.

“Ukrainasit që janë në Poloni dhe në vende të tjera të Bashkimit Evropian do të jenë në gjendje t’i bashkohen mbrojtjes ukrainase duke nënshkruar kontrata me forcat e armatosura”, tha ministri Rustem Umerov në mediat sociale.

Krijimi i kësaj njësie parashikohet në një marrëveshje dypalëshe të sigurisë ndërmjet Ukrainës dhe Polonisë të nënshkruar të hënën në Varshavë nga presidenti Volodymyr Zelenskiy dhe kryeministri polak Donald Tusk.

Është një “njësi speciale vullnetare që do të trajnohet në tokën polake” dhe “do të pajiset me armët më të mira” të Perëndimit përpara se të vendoset në frontin ukrainas, tha Umerov.

“Ne ftojmë të gjithë ukrainasit që janë në Evropë të bashkohen me Lidhjen e Ukrainës”, tha ai, pa dhënë detaje për numrin e njerëzve që Kievi shpreson të rekrutojë. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *