Ata që shpresonin se performanca e fundit e Biden do të mbetej e “izoluar”, duke mos nxjerrë në pah dështimin,

janë zhgënjyer shumë. Kandidatura e Trump për një mandat të dytë kërcënon gjendjen demokratike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në vend që të hidhej në ‘sulm’ dhe në këtë mënyrë të largonte dyshimet rreth aftësisë së tij për të mposhtur Trump, Biden bëri një paraqitje mjaft të dobët, duke konfirmuar atë që kundërshtari i tij ka vënë vazhdimisht në dukje. Ai shmangu përgjigjen e pyetjeve të votuesve dhe gazetarëve, ndërsa kur zgjodhi të mos përdorte foltoren-dixhitale, si në intervistën me George Stefanopulos , humbja e tij u bë evidente.

Presidenti, i zgjedhur në vitin 2020, po përpiqet t’i rezistojë realitetit. Për të paktën një vit, votuesit e kanë bërë të qartë në sondazhe dhe intervista se ata kanë dyshime për qartësinë mendore dhe qëndrueshmërinë fizike të Biden. Presidenti i hodhi poshtë këto shqetësime dhe e vuri vendin në rrezik të madh duke këmbëngulur se ai është kundërshtari demokrat më i përshtatshëm i Trump .

Në përgjigje të dështimit të tij pas debatit, Biden përdori taktikën e preferuar të çdo politikani të kërcënuar, duke këmbëngulur se sondazhet janë të gabuara. Edhe nëse kjo do të ishte e vërtetë, sondazhet pa dyshim nxjerrin në pah skepticizmin e fortë të elektoratit në lidhje me aftësinë e tij për të udhëhequr. Sondazhi i fundit tregoi se 74% e votuesve mendojnë se Biden është shumë i vjetër për presidencën, 5% më shumë që nga debati.

Biden, nga ana tjetër, mohon me kokëfortësi që mosha e tij i kufizon aftësitë e tij, duke e lënë këtë çështje të patrajtuar në një letër të gjatë që ai i dërgoi të hënën demokratëve të Kongresit. Në letër, presidenti këmbëngul në pranueshmërinë e tij, duke refuzuar në mënyrë implicite çdo emërim të mundshëm nga nënpresidentja Kamala Harris ose një demokrat tjetër më i ri.

Këshilltarët që “fshehën” Biden

Zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë janë përpjekur furishëm për më shumë se një vit për të ndërtuar “prezencën në skenë” të Joe Biden. Siç raporton gjerësisht Ëall Street Journal , operacioni i “mbulimit” të presidentit ka qenë prej kohësh një nga përgjegjësitë qendrore të stafit të tij politik. Duke ditur dobësitë e tij në artikulim dhe duke dashur ta mbronin atë, këshilltarët e tij refuzuan për dy vjet të organizonin intervista në televizione, tubime publike, madje edhe në gjysmën e parë të kampionatit amerikan të futbollit (i njohur ndryshe si Super Boël) që ndiqet nga miliona njerëz dhe është një mundësi shumë e mirë për të tërhequr votues. Teksa paraqitja e Biden sa vinte dhe bëhej më e dobët,  këshilltarët e tij kryesorë i siguruan të gjithë se ai ishte në gjendje të përsosur.

Derisa erdhi koha për debatin e muajit të kaluar. Performanca e tij e papërshkrueshme tronditi edhe anëtarët e partisë, të cilët besonin se presidenti ishte në gjendje të mirë shëndetësore, por nuk flisnin shpesh me të personalisht.

Tani, shumë nga mbledhësit e fondeve të partisë thonë se ata u “mashtruan” nga një përpjekje e fshehtë për të shuar shqetësimet që ishin ngritur shumë kohë përpara debatit nëse Biden ka të drejtë për një mandat të dytë.

Sipas gazetës amerikane, shumë njerëz të afërt me Biden tani fajësojnë një ‘grusht këshilltarësh’ që vendosën strategjinë e minimizimit të aktiviteteve.

Në qershor 2023, Biden u shfaq në një ceremoni diplomimi për anëtarët e Forcave Ajrore. Teksa po ecte ai u pengua mbi një thes me rërë dhe u rrëzua, pamje që u bë virale në internet. Përfaqësuesit e tij thanë në atë kohë se ky ishte një aksident që mund t’i ndodhte kujtdo, por ata e kuptuan sesi e dëmtoi imazhin e tij publik dhe morën masa që të mos përsëritej.

Kur ai pranoi javën e kaluar se i duhet më shumë gjumë, shumë e pritën këtë deklaratë me kritika. Të tjerët, megjithatë, u qetësuan që ai të paktën pranoi se kishte një problem.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *