Damian Gjiknuri ka konfirmuar kërkesën e përfaqësuesve të opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili për përcaktimin e datës së mbledhjes së Grupit të punës për Reformën Zgjedhore.
Ai vlerësoi gatishmërinë e shprehur nga opozita për të rifilluar punën e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Nërsa uron që brenda muajit maj të dakordësohen plotësisht për draftin që do t’i shkojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë.
“Ky qëndrim i ri i juaji, duhet përshëndetur si një reflektim serioz në raport me deklarimet tuaja publike të bëra ditët e fundit dhe ne e përshëndesim pa rezervë. Duke shprehur plotësisht gadishmërinë tonë për të vazhduar procesin gjithëpërfshirës të dialogut dhe diskutimin në kuadër të tryezës së Këshillit Politik, shprehim edhe urimin tonë që përmes punës së përbashkët, brenda muajit maj të gjejmë edhe dakordësinë e plotë për draftin që do t’i shkojë për miratim Kuvendit të Shqipërisë. Ne konfirmojmë praninë në mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e hënë, datë 11.05.2020, ora 10:00, të cilën në kushtet e diktuara nga COVID-19, mundësisht ta zhvillojmë përmes hapësirës digjitale”, thuhet në letërn e Gjiknurit, bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.