Kërpaçi: Studentët nuk paguajnë dot tarifat, Rama hap ekspozitë

Deputetja e LSI, Floida Kërpaçi ka deklaruar se Kuvendi ditën e hënë do të fillojë me diskutimet mbi amendamentet ligjore të paraqitura nga LSI, reflektuese të kërkesave të studentëve.
Në një deklaratë për mediat Kërpaçi ka thënë se kryeministri i ka mashtruar studentët duke thënë se ka plotësuar kërkesat e tyre dhe se ka alokuar fond për arsimin e lartë, ndërsa hap ekspozitë në Berlin me pikturat e tij.
“E vërteta është se Kryeministri i ka mashtruar turpësisht studentët duke thënë se ka plotësuar kërkesat e studentëve. Ka mashtruar se ka alokuar fond për arsimin e lartë. Ka mashtruar se ka rikonstruktuar godinat e konvikteve. Ka mashtruar përmes paktit 3D të Universitetit. Çdo veprim i deritanishëm i Kryeministrit Edi Rama ka qenë fasadë e turpshme dhe synim i errët për të shuar protestën, dhe uzurpuar mendimin e lirë në auditoret universitare dhe lirinë akademike. Konfirmimi se kërkesat e studentëve nuk janë plotësuar dhe situata anormale në arsimin e lartë vazhdon erdhi dhe nga Asambleja e pedagogëve, të cilët jo vetëm mbështesin kërkesat e studentëve, por kanë parashikuar që edhe ata vetë të nisin një grevë nëse qeveria nuk reflekton brenda javës.E ndërkohë që studentët nuk kanë mundësi të paguajnë tarifat e larta, Kryeministri hap ekspozitë me pikturat e tij. Studentët nuk kanë libra, nuk kanë konvikte , studentet duhet të kenë tualete, Kryeministri shkon hap ekspozitë me pikturat e tij. Studentët nuk kanë bibliotekë, nuk kanë Kartë Studenti, por meraku më i madh i Kryeministrit është të shkojë të hapi ekspozitë. Boll i vodhët paratë e Shqiptarëve me koncesione, me fasada, e me ekspozita personale. Studentët nuk kanë nevojë për mashtrime, kanë nevojë për mbështetje reale, jo imagjinare me video 3D. Amendamentet e LSI rrisin buxhetin për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor.”




