Ilir Meta mbetet në burg, kreu i PL-së debaton me prokurorët për provat, por Gjykata rrëzon pretendimet e tij
Gjykata e Posaçme la në qeli ish-Presidentin Ilir Meta. Ai kishte kërkuar zbutjen e masës së sigurisë, por pa sukses. Në seancë ishte i pranishëm vetë kryetari i Partisë së Lirisë, ndërsa avokati i tij, Kujtim Cakrani bëri të ditur se çfarë deklaroi Meta për Gjykatën e Posaçme.
“Foli vetë Meta për rreth një orë, ku hodhi dritë për një kartë krediti të Monika Kryemadhit. Karta është përdorur nga Kryemadhi, Meta nuk ka përdorur kurrë në jetën e tij kartë krediti. Kartat janë përdorur të gjitha nga ish- bashkëdshortja e zotit Meta. Zoti Meta nuk ka dijeni dhe nuk ka përdorur asnjëherë karta në jetën e tij. Nuk ka asnjë dijeni se çfarë ka ndodhur me zonjën Kryemadhi. Janë dy entitete të ndryshme, dy politikanë të ndryshme”, tha avokati.
Sipas avokatit të tij, vendimi i sotëm ishte i pritshëm përsa kohë sipas tij Meta mbahet në burg, politikisht.
“Nuk prisnim ndonjë ndryshim të masës së sigurimit, pasi ne e dimë qarësisht jemi të bindur, zoti Meta e di që është aty për arsye politike. Besoj se nuk ka sot një precedent të dytë që një ish- kryeministër, ish president, ish kryetar kuvendi që akuzohet dhe pretendohet për akuza shu,ë të largëta në kohë, por edhe të paprovuara nga organi i akuzës të qëndrojë në një masë ekstreme siç është ajo e arrestit në burg. ”, deklaroi ai.
Ilir Meta u arrestua mesditën e 21 tetorit, nën dyshimet se ka kryer korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie përmes lobimit në SHBA dhe si ish-ministër i Energjitikës në mbledhjen e borxhit të CEZ përmes kompanisë DIA./vizionplus.tv




