Zbulohen detaje të reja në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur pasditen e së shtunës, 9 dhjetor, në Prush të Tiranës ku disa persona të maskuar dhe të armatosur tentuan që të grabisnin një banesë.
Sipas burimeve, mësohet se kanë qenë të paktën 5 persona që kanë marrë pjesë në tentativën e grabitjes së banesës së Gani Himës. Dy prej autorëve kanë qenë të armatosur me kallash dhe të maskuar me kapuç që të mos identifikohen nga familjarët apo nga kamerat e sigurisë të instaluara brenda banesës.
Lexo edhe :
Related Posts
Madje, njëri prej autorëve ishte i veshur me jelek policie, ku i ka thënë familjarëve që ishte polic dhe po ushtronin kontroll në banesë. Në momentin e tentativës së grabitjes, brenda në shtëpi ishin dy të moshuar si dhe dy fëmijë të mitur, ku njëri prej tyre ka arritur që të lajmërojë policinë. Pas mbërritjes së patrullës, dy nga autorët kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të policisë, ku këta të fundit i janë kundërpërgjigjur.
Më pas 5 autorët janë ndarë në dy grupe. Dy prej tyre janë larguar me shpejtësi në drejtim të një kodre aty pranë, ndërsa tre të tjerët janë futur me shpejtësi në mjetin tip “Audi” të bardhë që rezultoi që ishte me targa të vjedhura. Në këtë moment një prej policëve ka tentuar që të hapë derën e mjetit për të nxjerrë jashtë drejtuesin. Ky i fundit pasi e ka shtyrë në tokë efektivin duke e rrezuar në tokë është larguar me shpejtësi.
Deri në këto momente policia ende nuk ka arritur që të zbulojë identitetin e autorëve edhe pse kamerat e sigurisë kanë filmuar të gjithë skenën e ngjarjes.
Ndërkohë që hetuesit kanë gjetur edhe disa prova në banesë, ku pritet që të ndihmojë në hetimet e policisë. Aktualisht janë shoqëruar të paktën 10 persona, të cilët janë marrë në pyetje nëse kanë dijeni për ngjarjen./vizionplus.tv