Në katër drejtoritë arsimore rajonale të vendit është hapur gara për 200 drejtorë të shkollave 9-vjeçare e të mesme. Përkatësisht, figurojnë 73 pozicione të lira në Durrës, 40 në Fier, 55 në Korçë e 32 në Lezhë.
Sipas ministres së Arsimit dhe Sportit, forcimi i rolit të mësuesit në proceset vendimmarrëse është faktor kyç në rritjen e cilësisë së arsimit.
“Sot, shpallim 200 vende vakante për drejtues shkolle, në shkollat 9-vjeçare dhe ato të mesme, në katër drejtoritë arsimore rajonale. Synimi ynë është rritja e cilësisë në arsim për të gjitha nivelet e edukimit. Në takimet që unë kam pasur gjatë dialogut “Te flasim për arsimin” me mësues, nxënës dhe prindër, ka dalë qartësisht nevoja për të rritur rolin e mësuesve në proceset vendimmarrëse të shkollës, por edhe të drejtuesve të shkollës, të cilët duhet të përmirësojnë aftësitë e tyre drejtuese dhe menaxhuese në funksion të gjithëpërfshirjes dhe në funksion të vendimmarrjeve të përbashkëta, duke përfshirë akoma më shumë mësuesit në proceset vendimmarrëse”, tha Manastirliu.
Për të gjithë kandidatët, kriteret e përcaktuara në udhëzimet përkatëse, gjenden në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar dhe në faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ku edhe mund të aplikojnë./vizionplus.tv





