Kërkimet në vendbanimin e Linit, studiuesit kërkojnë të dhëna të reja nën ujë

Për të gjashtin vit radhazi vijojnë kërkimet arkeologjike në sitin palafit Lin 3, në bregun e Liqenit të Pogradecit.
Arkeologë shqiptarë dhe të huaj po vijojnë edhe këtë vit studimet për të zbardhur më tej historinë e një prej vendbanimeve më të rëndësishme parahistorike në europë.
Martin Hinz, nga Universiteti i Bernës dhe bashkëdrejtues i projektit, vë në dukje rëndësinë e kërkimeve nënujore dhe kombinimin e tyre me studimet gjeofizike në zonën e bregliqenit. Sipas tij, një pjesë e vendbanimit ndodhet në tokë, ndërsa një tjetër pjesë është e zhytur në ujërat e Liqenit.
“Kështu që jemi këtu në Lin 3, në sitin Lin 3 afër Pogradecit, në Liqenin e Ohrit dhe ky është një nga sitet mjaft të rëndësishme aktualisht, mendoj, që është nën hetim për parahistorinë e Shqipërisë. Doli të jetë një nga vendbanimet më të vjetra me palafite në Evropë dhe ka një potencial gjigant gjithashtu për shkak të ruajtjes së materialit këtu dhe për faktin se përfaqëson 2,000 vjet histori banimi, duke nisur nga viti 5,800 para Krishtit e deri në vitin 4,000 para Krishtit. Ajo që ka ndodhur gjithashtu më parë, edhe nën ujë, është marrja e kampioneve për ADN. Kështu që sot, njerëzit mund të nxjerrin ADN edhe thjesht nga kampionët e sedimenteve dhe të identifikojnë se çfarë lloj speciesh kanë qenë të pranishme në atë periudhë kohore në të kaluarën”, thotë Martin Hinz.
Vendbanimi palafit i Linit ka sjellë të dhëna të rëndësishme për historinë e banimit në këtë zonë.
Kërkimet arkeologjike pritet të vijojnë edhe në vitet e ardhshme, me gërmime dhe metoda të tjera studimore.
Sitet arkeologjike nënujore të zbuluara dhe të studiuara nga arkeologë shqiptarë dhe të huaj lidhen me trashëgimine e Liqenin e Ohrit, i cili është pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-S.



