Kërkesa e protestuesve për dorëheqjen e Ramës, avokati: Përmes dhunës nuk ka zgjidhje

Avokati Plarent Ndreca, i ftuar në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, tha se protestat e dhunshme, goditja e efektivëve dhe cenimi i pronës nuk mund të sjellin zgjidhje në një vend demokratik.
Sipas tij, zgjidhja politike duhet të kërkohet përmes institucioneve kushtetuese, ndërsa dorëheqja e kryeministrit mbetet një vendim që duhet të merret nga vetë ai.
“Kërkesa e bërë nga protestuesit është thellësisht politike. Mënyra e zgjedhur, me protesta të dhunshme apo me goditje të efektivëve dhe cenim të pronave, nuk është një formë që përshtatet në një vend demokratik, as mund të japë zgjidhje.
Nga pikëpamja kushtetuese, beteja kryesore për zgjidhje politike bëhet në Parlamentin e Shqipërisë. Ose do të ketë zgjedhje politike, që është qeveria apo kryeministri që mund të çojë drejt një tërheqjeje politike. Në këto kushte, kur qeveria ka numra në Kuvend, nga pikëpamja kushtetuese nuk shoh zgjidhje.
Mund të jetë Rama ai që mund të japë zgjidhjen, por përmes dhunës nuk shoh zgjidhje. Është ekstreme kërkesa për dorëheqje, sepse duhet të jetë vetë individi, pra kryeministri, ai që të dorëhiqet”, tha avokati Ndreca.
/vizionplus.tv



