Subscribe

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, prezantoi sot një prej mekanizmave për të lehtësuar trafikun, projektin për ndërtimin e një tuneli nëntokësor, që do të lidhë bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me bulevardin “Zogu i Parë”.

 

Këlliçi shpjegoi se Tirana ka nevojë urgjente për të zgjidhur problemin e trafikut, pasi përveç ndotjes, stresit, trafiku i rënduar krijon një kosto, e shtuar për çdo familje që përdor makinë, një kosto që shkon rreth 10 mijë lekë në muaj.

 

BELIND KELLICI

 

KANDIDAT PER BASHKINE E TIRANES

 

“Do të ndërtojmë një tunel rreth 200 m me 4 korsi, 2 në vajtje 2 në kthim që do të lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit”me bulevardin “Zogu i Parë” për të shfryrë rreth 60% të trafikut në këtë zonë. Unaza e Vogël bllokohet fillimisht këtu, ky është makthi që ne kalojmë çdo ditë që kërkon vetëm 4 deri në 4.5 milionë euro për tu zgjidhur.

 

Këlliçi ka premtuar se projekti do të realizohet brenda këtij viti.

 

“Jap fjalën para qytetarëve të Tiranës sot që brenda datës 1 janar 2024 ky projekt dhe ky tunel do të jetë realitet. Nëse kjo nuk ndodh jap dorëheqjen para qytetarëve. Kjo është thjeshtësisht e bëshme, është premtim, projekt real që nuk ka asnjë shans të mos bëhet nëse ka vullnet.”

 

Kandidati për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, ka sqaruar të gjithë skeptikët se premtimi për transportin publik pa pagesë dhe nënkalimi në sheshin Skënderbe, janë plotësisht të realizueshme me fondet që ka buxheti i bashkisë.

 

“Paratë do të jenë aty edhe për transportin urban falas, që kushton vetëm 6.8% të buxhetit të bashkisë së Tiranës dhe shoqëruar edhe me këtë masë që ne do të marrim që ka vlerë 4 deri në 4.5 milionë euro, iu garantoj që minimalisht 60% e trafikut të Tiranës do të zgjidhet, pa prekur sheshin “Skënderbej” dhe pa prekur parkimin nëntokësor që ndodhet afër bankës së Shqipërisë, e gjitha kjo duke ndërtuar, dhe jo duke prishur.

 

Deri tani, premtimi për të lehtësuar trafikun në Tiranë ka zënë pjesën kryesore të programit të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *