Kejdi Mehmetaj: Kriza politike nuk zgjidhet vetëm me reformën zgjedhore

Ish-deputetja e LSI, Kejdi Mehmetaj deklaroi se vetëm reforma zgjedhore nuk mund ta zgjidhë krizën politike në Shqipëri. Në një intervistë në studion e lajmeve të “Vizion +”, Mehmetaj u shpreh se pas miratimit të reformës, duhet që të zhvillohen edhe zgjedhje për ta provuar atë.
“Nuk është e vetmja rrugë në të cilën duhet të kalojmë sepse reformë zgjedhore pa u shoqëruar me mbajtjejn e zgjedhjeve, pa u shoqëruar me ngritjen e instituioneve të pavarura të drejtësisë, nuk mund të përbëjë një zgjidhje përfundimtare të krizës. Duke qenë se reforma ka qenë një nga kushtet kryesore të Bundestagut, por edhe si pikënsisja për të shkuar drejt zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është një rrugë që ne e ndërmorëm dhe do të japim kontributet tona.”
Reklamë
Ajo tha se dyert e LSI janë të hapura për qytetarët dhe shoqërinë civile që të japë ide për mënyrën sesi duhet bërë reforma zgjedhore.
“Nuk e shoh thjesht si një marrëveshje, por si përgatitje me në mes faktorin ndërkombëtar, që ato që do të hedhim në letër do të jenë më të mirat për t’ju dhënë shqiptarëve zgjedhjet që meritojnë. Përtej asaj që do të bëjmë bashkarisht, është shumë e rëndësishme të plotësohen edhe kriteret e tjera që në fund të futemi në një proces zgjedhore. Për ne është shumë e rëndësishmë që ky proces të jetë sa më transparent për qytetarët dhe ne si LSI i kemi hapur dyert tona për të pritur dhe për të dëgjuar këdo që do të japë një kontribut.”
Duke folur edhe për zgjedhjet e parakohshme, Kejdi Mehmetaj shtoi se ky proces mund të zhvillohet në çdo moment nëse ka vullnet nga palët politike. Sipas saj, duhet të piqen kushtet për të zhvilluar një proces të ri zgjedhor me qëllim që kur të merret vendimi për hapjen e negociatave, Shqipëria të thotë se jam gati për t’u bërë pjesë e BE.




