Katër ditë pas aksidentit fatal me 270 viktima, shmanget tragjedia! Avioni i “Air India” bën ulje emergjente një orë pas nisjes

Një avion Boeing 787-8 Dreamliner i Air India me destinacion New Delhi u kthye në pikën e nisjes, Hong Kong, të hënën, 16 qershor, pas dyshimeve të njërit prej kapitenëve për një problem teknik gjatë fluturimit.
Incidenti vjen disa ditë pasi një aeroplan i ngjashëm Boeing, që operonte një fluturim të Air India për në Londër, u rrëzua më 12 qershor, në qytetin perëndimor indian të Ahmedabadit menjëherë pas ngritjes, duke vrarë 241 nga 242 personat në bord.
Numri i viktimave ka shkuar në 270, pasi avioni u rrëzua mbi një zonë të banuar.
Aeroplani Dreamliner, i cili u kthye sot në Hong Kong, tani po i nënshtrohet kontrolleve,.
“Fluturimi AI315 u devijua për në Aeroportin Ndërkombëtar të Hong Kongut, ai u ul në mënyrë të sigurt rreth orës 13:15”, tha një zëdhënës i Autoritetit të Aviacionit Civil të Hong Kongut. Shërbimet e aeroportit nuk janë prekur, tha zëdhënësi.
Fluturimi AI315 u nis nga Hong Kongu në orën 12:20 të pasdites sipas orës lokale dhe u ul rreth një orë më vonë.
Ai kishte arritur një lartësi prej 6000 metrash përpara se të fillonte zbritjen e tij, sipas faqes së internetit të ndjekjes së fluturimeve AirNav Radar.
Boeing dhe Air India nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment në lidhje me fluturimin Hong Kong-Nju Delhi./vizionplus.tv




