Të paktën katër persona të moshës 30-35 vjeç që ndodheshin në dy makina dyshohet të kenë marrë pjesë në ekzekutimin e 64 vjeçarit në Lezhë
Autorët dyshohet se lëviznin me një automjet tip Porsche Cayenne dhe kanë qëlluar drejt Gjovalin Prendit i cili mbeti viktimë e atentatit, përpara se të largoheshin me shpejtësi nga vendngjarja së bashku me mjetin tjetër që i shoqëronte.
Lexo edhe :
Prendi ndodhej në lokal së bashku me një person tjetër, i cili fatmirësisht nuk është prekur nga plumbat. Të dy mjetet janë afruar nga hyrja kryesore e lokalit dhe është hapur zjarr në drejtim të tavolinës ku qëndronte 64 vjeçari.
Gjovalin Prendi kishte hapur lokalin e tij që ndodhet pikërisht pranë kryqëzimit të urës së Milotit dhe segmentit të vjetër drejt Rrubikut, pa e ditur se aty do të ndodhte atentati fatal. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe deri më tani ka shoqëruar disa persona për ti marrë në pyetje, por ende pa rënë në gjurmë të ekzekutorëve.
Gjovalin Prendi është babai i Roan Brahimit, i njohur edhe si Sidorel Prendi, i cili u ekzekutua në një atentat mafioz në Athinë më 9 maj 2024, në sy të gruas dhe fëmijëve të tij.
Brahimi ishte një personazh i njohur për autoritetet dhe dyshohet të ketë qenë i përfshirë në disa ngjarje kriminale në Shqipëri dhe Greqi. Ai njihej si rivali i mbretit të lojërave të fatit Ervis Martinaj i cili rezulton i zhdukur. Madje Roan Brahimi është përfolur si i përfshirë edhe për vrasjen e Brilant Martinajt.
/vizionplus.tv






