Subscribe

Mosdakordësia për fletën e votimit vazhdon jo vetëm mes partive politike, por edhe përbrenda KQZ.

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve rrëzon fletën e votimit me emra të miratuar nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Me tre votat pro të Ilir Rusmajli, Koli Bele dhe Elvin Lako dhe dy kundër të Ledio Braho e Elvis Çefa, KAS, pranoi kërkesën e Partisë Socialiste duke miratuar fletën e votimit ku kandidatët për deputetë identifikohen me numër dhe jo me emër siç kërkoi Partia Demokratike dhe vendosi Ilirjan Celibashi. Me këtë vendim, KAS rrëzoi automatikisht edhe ankimin e demokratëve që fleta e votimit të ishte në versionin vertikal dhe jo horizontal siç e miratoi Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.

Vendim i dytë kundër që KAS i bëri PD-së ishte edhe për logon që partia Bindja Demokratike duhet të mbajë në fletën e votimit. KAS vendosi që në fund të logos të shkruhet emri i partisë, duke mos e miratuar kështu ankimimin e PD-së, që kërkoi të hiqej ose të prezantohej me modelin e vendosur nga Ilirjan Celibashi, me pretendimin se ajo është e ngjashme me logon e Partisë Demokratike dhe shkakton ngatërrim te votuesi.

Siç ishte parashikuar, fjalën e fundit do ta thotë Kolegji Zgjedhor. Brenda pesë ditëve Partia Demokratike do të depozitojë çështjen për shqyrtim. Miratimi përfundimtar i fletës së votimit me emra apo me numra do të marrë të paktën edhe një javë kohë, duke bërë që ditët që zgjedhësit kanë në dispozicion për tu njohur me mënyrën e votimit të jenë edhe më të pakta.
Në më pak se një muaj nga zgjedhjet, fleta e votimit ishte ngërçi i radhës mes PS dhe PD. Pas Komisioni Rregullator u vetë-shpallë jokompetent për përcaktimin e përmbajtjes së saj, vendimi i mbeti Ilirjan Celibashit. Ai miratoi këtë fletë votimi, me emra, që ishte edhe dëshira e demokratëve, për t’ia rrëzuar më pas KAS, që plotësoi dëshirën e socialistëve.

Sipas PD, identifikimi i kandidatëve për deputetë me emra është në respekt të parashikimit në kodin zgjedhor dhe përmbush kriterin lista të hapura. Sipas socialistëve, me numra krijon barazi dhe një proces zgjedhor të lirë dhe të drejtë.

Se nga do të anojë peshorja e drejtësisë këtë do ta vendosë Kolegji Zgjedhor, i cili para mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme përballet me procesin e dytë. Në të parin detyroi Partinë Demokratike që në parlamentaret e 25 Prillit të garojë me 153 kandidatë për deputetë dhe jo me 222 siç pretendonte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *