Subscribe

Një bandë narko-trafiku shqiptaro-arabe është shkatërruar nga policia italiane gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte. Grupi kriminal i përbërë nga 22 persona, 8 prej të cilëve shqiptare merrej kryesisht me importin dhe shitjen e kokainës.

 

Operacioni antidrogë i koduar “Sottobosco”, u zhvillua në disa rajone: Emilia Romagna, Toscana, Lombardia dhe Sicili.

 

Hetimet ndaj bandës nisën marsin e vitit 2016, kur një familje, djali i të cilës konsumonte drogë, denoncoi në polici disa incidente dhe grabitje nga një grup që merrej me shpërndarjen e kokainës.

 

Sipas hetimeve organizata ishte e strukturuar mire: pjesë e saj ishin edhe 8 shtetas shqiptare; Defrim, Enver, Haxhi dhe Besnik Dervishi dhe Klodian Alushku të cilët vepronin në krahinat e Pizës dhe Firences.

 

Ata ishin përgjegjës për furnizimin me sasi të konsiderueshme kokaine nga Holanda, duke përdorur një rrjet korrierësh, të ndihmuar nga Olsi Ivziku, për të kaluar drogën në tregun e lëndëve narkotike në Ferrara, Bolonjë, Toskanë etj.

 

Ndërsa dy shqiptarët e tjerë Shpëtim Fili dhe Shkëlzen Cani menaxhonin një rrjet të pavarur të shpërndarjes së kokainës që e merrnin nga grupi tjetër.

 

Megjithatë truri i organizatës konsiderohet Mohamed Jarmouni, i cili përveç se kujdesej për furnizimin me kokainë, siguronte edhe transaksionet e parave. Ai kujdesej gjithashtu për blerjet e grupit dhe asgjësimin e konkurrentëve në hapësirat gjeografike ku vepronte banda.

 

Sipas mediave italiane, grupi kriminal blinte kokainën për rreth 35 mijë euro kilogrami, dhe e shiste për 80 deri në 120 euro grami tek konsumatorët përfundimtar.

 

Policia arriti të konfiskojë rreth 7 kg kokainë dhe 28 mijë euro cash.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *