Nga Esido Barkaj
Ky është momenti kur agjentët e antidrogës së Tiranës ndërhyjnë dhe arrestojnë dy të rinj të cilët po transportonin në makinën e tyre luksoze mbi 1 kg kokainë.
Lexo edhe :
Related Posts
Në pranga ranë 24-vjeçari Klajdi Serjani dhe Euxhenjo Manushi 20-vjeç. Gjatë arrestimit në afërsi të kthesës së Kamzës, blutë sekuestruan dhe lëndën narkotike me një vlerë në treg prej 270 mijë eurosh.
Prej të paktën 6 muajsh, Serjani dhe Manushi ishin në përgjim nga policia dhe janë ndjekur deri në dokumentimin e përfshirjes së tyre në këtë aktivitet kriminal.
Ata dyshohet se prej një kohe të gjatë funksiononin si shpërndarës dhe furnizues të drograve të forta kryesisht në zonën e ish-Parkut, por edhe në lagje të tjera të Tiranës.
Klajdi Serjani është nipi i Pajtim Serjanit, një nga miqtë më të ngushtë të Emiljano Shullazit. Kjo është arsyeja pse baza e tyre ishte pikërisht në zonën e ish-Parkut, e njohur si e kontrolluar nga Emiljano Shullazi dhe grupi i tij.
Gjithashtu Pajtim Serjani është një person i njohur për drejtësinë, i dënuar më herët për gjobëvënie. Ky i fundit madje i ka shpëtuar një atentati në 2015.
Operacioni policor u kodua me emrin “Fam Fanz” për shkak të mbishkrimeve të njëjta mbi pakon me drogë. Nipi i Pajtim Serjanit reklamonte jetën e tij të luksit në rrjetet sociale duke treguar automjete të shtrenjta, tufa eurosh si dhe jetën e natës në vende luksi.
Përveç pakos me kokainë, u sekuestrua një shumë parash dhe celularët e dy të arrestuarve. Ndërkohë blutë po hetojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
/vizionplus.tv