Një 40-vjeçar është arrestuar nga policia në Tiranë pasi u kap me një pistoletë me municion luftarak.
Në pranga ra edhe një 35-vjeçar për moskallëzim krimi, i cili ishte bashkë me 40 vjecarin në momentin e ndalimit nga policia.
Efektivët kanë ndaluar makinën në “Zonën e Treshit” dhe nga kontrolli fizik i 40-vjeçarit, u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila posedohej pa leje, me qëllim shitjen e saj.
Ky nuk është rasti i parë që policia kryen arrestime te personave që tentojnë të shesin armë në kryeqytet.
Pak kohë më parë, Urim Meta 46 vjeç, ra në prangat e policisë teksa po udhëtonte nga fshati Shëngjergj drejt Tiranës me 4 kallëpe tritoli, 2 armë zjarri dhe 1500 fishekë të kalibrave të ndryshëm në automjet.
Efektivët e komisariatit nr. 4 i bënë pritë Metës në një pjesë të rrugës ku dhe e arrestuan. 46-vjeçari do t’ia shiste armët dhe municionin një personi të paidentifikuar në Tiranë në vlerën e 3 mijë eurove, ndërsa destinacioni final i tyre dyshohet se ishte Maqedonia e Veriut.





