Kaosi dhe dhuna në Tiranë, Berisha: Studentët kanë reaguar si heronj

Kryedemokrati i PD-së, Sali Berisha, në një takim me krerët e degëve në Tiranë, mbrëmjen e kësaj të mërkure, ka folur për protestën që po zhvillohet në kryeqytet.
Kryedemokrati Sali Berisha e ka cilësuar sjelljen e protestuesve ndaj uniformave blu si heroike. Sipas tij, studentët janë në të drejtën e tyre për të protestuar.
“Janë mbi 50 studentë dhe qytetarë të plagosur nga plagë të ndryshme. Me thyerje të forta, me thyerje të këmbës, me çarje të kafkës, në pjesën frontale, që është pjesa më e fortë e saj. Janë me dhjetëra të tjerë me plagosje të tjera në trup, pa llogaritur këtu dhjetëra e dhjetëra të cilëve iu hodh sprej ariu në sy apo u gjuajtën me brutalitet me topa uji.
Duhet theksuar se studentët janë përgjigjur me një heroizëm të vërtetë. Reagimi i tyre lidhet me revoltën e tyre shpirtërore kundër narkodiktaturës, por studentët kanë një sërë arsyesh shumë të forta për t’u përballur me këtë qeveri dhe për ta arkivuar në banesën e turpit të historisë.
Sot, në proporcion me të ardhurat, ata paguajnë qira të paktën pesë herë më të larta se bashkëmoshatarët e tyre kudo ku janë. Ndërtesat që janë ndërtuar për strehimin e tyre, mafia shtetërore ua ka ndryshuar destinacionin dhe i përdor për përfitimet e veta”, tha Berisha.




