Kaos në qiellin britanik, problemi teknik anulon rreth 200 fluturime, incidenti i dytë serioz brenda dy javësh

Një problem teknik në sistemin e kontrollit të trafikut ajror në qendrën NATS Prestwick në Skoci ka shkaktuar kaos në transportin ajror britanik, duke shënuar incidentin e dytë të këtij lloji brenda dy javësh.
Sipas të dhënave të kompanisë së analizës së aviacionit Cirium, të transmetuara nga BBC, rreth 200 fluturime u anuluan të hënën. Rreth 100 prej tyre ishin fluturime mbërritëse në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa 99 ishin nisje.
Kompania ajrore më e prekur ishte EasyJet, e cila anuloi 47 nga 670 nisjet e planifikuara. Ndërkohë, British Airways anuloi 11 nga 513 nisjet e planifikuara për ditën e sotme.
Problemet shkaktuan numër të lartë anulimesh veçanërisht në aeroportet e Glasgout dhe Belfastit, ndërsa aeroportet e zonës së Londrës nuk u prekën ndjeshëm.
Shërbimet Kombëtare të Trafikut Ajror (NATS) njoftuan se problemi teknik në Skoci është zgjidhur dhe kërkuan ndjesë për pasagjerët e prekur.
“Po bashkëpunojmë me aeroportet dhe kompanitë ajrore për të minimizuar çdo pengesë të mëtejshme”, deklaroi NATS.
Një zëdhënës i NATS tha se incidenti i fundit nuk lidhet me ndërprerjen e regjistruar dy javë më parë.
Më 8 dhe 9 shtator, një defekt në softuer shkaktoi më shumë se 2,000 anulime fluturimesh dhe një numër të madh vonesash, duke prekur mbi 330 mijë pasagjerë.
Pasagjerët mund të mos përfitojnë dëmshpërblim
Autoriteti i Aviacionit Civil në Mbretërinë e Bashkuar ka paralajmëruar se pasagjerët e prekur nga incidenti i fundit “me gjasë” nuk do të kenë të drejtë për dëmshpërblim.
Sipas autoritetit, problemi teknik ka të ngjarë të konsiderohet si një “rrethanë e jashtëzakonshme” sipas rregullave për të drejtat e pasagjerëve.
Kjo do të thotë se kompanitë ajrore kanë detyrimin të kujdesen për pasagjerët e prekur, por ata mund të mos kenë të drejtë për kompensim financiar për vonesat apo anulimet që janë shkaktuar drejtpërdrejt nga ky incident.




