António José Seguro, kandidati i majtë, ka fituar me diferencë të thellë raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Portugali, duke mposhtur rivalin e ekstremit të djathtë André Ventura, liderin e partisë Chega.
Seguro siguroi 66.8% të votave, ndërsa Ventura mori 33.2%, në një proces zgjedhor që u zhvillua mes vështirësive të shkaktuara nga stuhitë vdekjeprurëse që goditën vendin gjatë javëve të fundit.
“Përgjigjja që populli portugez dha sot, angazhimi i tij për lirinë, demokracinë dhe të ardhmen e vendit, më bën të ndihem thellësisht i prekur dhe krenar,” u shpreh Seguro pas fitores.
Nga ana tjetër, Ventura deklaroi se rezultati tregoi se “mesazhi i popullit portugez është i qartë”, duke shtuar se Chega tashmë është forca kryesore e së djathtës dhe se “së shpejti do të qeverisë Portugalinë”.
Më herët, ai kishte akuzuar “të gjithë sistemin politik” se ishte bashkuar kundër tij. Gjatë fushatës, Chega e vuri theksin te emigracioni, me slogane të forta dhe mesazhe kundër ndihmave sociale për emigrantët.
Megjithëse humbi, Chega arriti rezultatin më të lartë në historinë e saj, duke tejkaluar ndjeshëm përqindjen e marrë në zgjedhjet parlamentare të majit të kaluar.
Liderët europianë përshëndetën fitoren e Seguro. Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi bashkëpunimin për një Evropë “më sovrane dhe më të fortë”, ndërsa presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, vlerësoi rezistencën demokratike të qytetarëve portugezë, pavarësisht situatës së rëndë të shkaktuar nga stuhitë.





