Kancelari Scholz foli me Presidentin Putin në Moskë për situatën në kufirin ukrainas. Ai e përshëndeti njoftimin e Moskës se disa trupa do të tërhiqen nga zona kufitare.

 

Kriza në kufirin Rusi-Ukrainë ishte në qendër të bisedimeve mes kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe presidentit rus Vladimir Putin.

 

Kancelari Scholz përshëndeti lajmin që Rusia po tërheq një pjesë të trupave nga kufiri me Ukrainën. “Kjo është një shenjë e mirë dhe ne shpresojmë se do të pasojnë edhe më shumë”, tha Scholzi pas takimit me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë. Qetësimi i situatës është urgjentisht i domosdoshëm. Kancelari social-demokrat deklaroi se mundësitë diplomatike në krizën e Ukrainës nuk janë “shterur shumë”.

 

“Gjëja më e rëndësishme është që ne i menaxhojmë marrëdhëniet mes vendeve me diskutime të mira me njëri-tjetrin”, tha Scholzi gjatë takimit me Putinin, duke shtuar se ishte i kënaqur që të dy udhëheqësit mundën të takoheshin ballë për ballë.

 

Scholz: Nuk ka siguri të qëndrueshme kundër Rusisë

 

Të gjithë evropianët dhe NATO-ja janë të vetëdijshëm se siguria e qëndrueshme nuk mund të arrihet kundër Rusisë, por vetëm me Rusinë. “Të gjithëve u kërkohet të veprojnë me guxim dhe me përgjegjësi”, theksoi kancelari Scholz. “Është detyra jonë si kryetarë shtetesh dhe qeverish, të parandalojmë një përshkallëzim lufte në Evropë.

 

Kancelari Scholz vlerësoi gjithashtu “marrëdhëniet tregtare shumë të rregullta” midis dy vendeve, ndërsa pranoi “situatën e vështirë” për paqen dhe sigurinë në Evropë.

 

Putini përbetohet se nuk do luftë

 

Putin theksoi: “Ne nuk duam luftë në Evropë”. Kjo është arsyeja pse Rusia kërkon garanci sigurie nga Perëndimi. Megjithatë sipas Putinit deri tani nuk ka pasur ndonjë përgjigje të kënaqshme për kërkesat e vendit të tij. Putini tha se është ende gati për të negociuar me Perëndimin.

 

Putini kërkoi që NATO-ja ta përjashtojë tani dhe jo në të ardhmen mundësinë e anëtarësimit të Ukrainës në këtë aleancë perëndimore. Kurse kancelari Scholz tha do të ishte gabim, që nisur nga debati për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, çështje kjo që nuk është në rendin e ditës, të shpërthejë një luftë./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *