Subscribe

Kancelar i Gjermanisë, Olaf Scholz nisi këtë të premte turin në Ballkanin Perëndimor. Ndalesën e parë e bëri në Prishtinë, ku u takua me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

 

Gjatë konferencës së tyre të përbashkët kreu i qeverisë kërkoi mbështetjen e Berlinit në procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ndërsa paralajmëroi se do të kërkojë edhe statusin e kandidatit për në BE.

 

ALBIN KURTI
KRYEMINISTER I KOSOVES

“Ne kemi kërkuar ndihmën e Gjermanisë për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, por edhe në Programin për Partneritetin për Paqe të NATO-s. Sivjet planifikojmë po ashtu që të aplikojmë për statusin e vendit kandidat për anëtarësim pra në Bashkimin Evropian dhe kërkojmë mbështetjen e të gjithëve për këtë.”

 

Kancelari gjerman nënvizoi se për të arritur anëtarësimin në organizata ndërkombëtare duhet fillimisht të ketë një marrëveshje afatgjatë mes Prishtinës dhe Beogradit, rezultati i së cilës duhet të jetë njohja e Kosovës.

 

OLAF SCHOLZ
KANCELAR I GJERMANISE

“Në kohëra si këto vlerat e sigurisë dhe lirisë na bëhen më të qarta, është një arsye edhe më shumë e rëndësishme që Kosova dhe Serbia përmes një marrëveshjeje përfshirëse dhe të qëndrueshme të gjejnë një zgjidhje politike e cila kontribuon në stabilitetin rajonal. E qartë është që marrëveshja në fund duhet të zgjidhë edhe çështjen e njohjes së Kosovës, sepse është e paimagjinueshme që dy vende, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën të bëhen anëtare të BE-së”

 

Por kryeministri Kurti akuzoi Beogradin se po pengon bisedimet. I pyetur për pozicionin e Gjermanisë për nismën, “Ballkani i Hapur” , Scholz refuzoi të jap një përgjigje konkrete, duke theksuar se tregu i përbashkët është një çështje që duhet përmirësuar.

 

OLAF SCHOLZ
KANCELAR I GJERMANISE

“Të gjithë duan të anëtarësohen në BE dhe aty ka rregulla të lirisë së lëvizjes. Kushdo që dëshiron të anëtarësohet në BE duhet ta respektojë këtë.”

 

Kancelari gjerman do të udhëtojë edhe drejt Serbisë, ku do të zhvillojë një takim me presidentin Aleksandër Vuçiç.

 

Pas takimeve me Kurtin dhe Vuçiç, kancelari gjerman do të udhëtojë drejt Greqisë, për t’iu bashkuar samitit të Selanikut për sigurinë. Në të do të marrin pjesë krerët më të lartë të Bashkimit Evropian dhe 13 vendeve, mes të cilëve edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *