Kancelari gjerman Friedrich Merz ka uruar kreun e qeverisë shqiptare Edi Rama për rizgjedhjen për herë të katërt në krye të vendit.
Në një postim në platformën X, Merz e uron Ramën edhe në shqip.
Më pas, mesazhin e përcjell në gjuhën gjermane, teksa shkruan se mezi pret që të vijojnë bashkëpunimin. Ai përmend edhe faktin se ditën e nesërme, më 16 maj, do të takojë kryeministrin në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë, takimi i tyre i parë pas zgjedhjes së tij si kancelar i Gjermanisë.
“Urime, Edi Rama për rizgjedhjen tuaj në Shqipëri. Shumë urime! Pres me padurim bashkëpunimin tonë të vazhdueshëm dhe takimin tonë të parë në takimin e Komunitetit Politik Evropian në Tiranë të premten”, shkruan kancelari.






