Kanabis, armë, municion e pajisje policie, pranga dy të rinjve

Policia e Vlorës ka organizuar një operacion antidrogë të koduar “Çepraku” duke sekuestruar kanabis, armë dhe municion luftarak.
Ndërhyrja u bë pas informacioneve se në territorin e fshatit Kuç, dy persona posedonin lëndë narkotike, armë zjarri, si dhe kishin kultivuar bimë narkotike.
Forcat e rendit kapën në flagrancë shtetasit E. F., 19 vjeç dhe I. G., 26 vjeç, banues në fshatin Kuç, Himarë.
Në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, në fshati Kuç, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 48 kg lëndë të dyshuar cannabis sativa, një armë zjarri pistoletë të llojit “Beretta”, dy armë gjahu të cilat i mbanin pa leje, municion luftarak, një dylbi pushke, një gjerdan brezi me fishekë për armë gjahu dhe dy radio marrëse-dhënëse.
Po gjatë operacionit, Policia ka evidentuar dhe asgjësuar fidanë të dyshuar cannabis sativa, të cilët ishin kultivuar në vendin e quajtur “Lumi i Çeprakut”, në fshatin Kuç, Himarë.




