Presidenti i Komisionit Evropian huazoi nje shprehje marinaresh kur tha se “Fryn serish ere ne Evrope  dhe se ajo duhet të hapë velat për një të ardhme të përbashkët. Ky ishte apeli i tij. Dhe meqenëse Junckeri preferon që të tregojë ndjenja, ai foli për përvojën e tij të gjatë, nganjëherë të dhimbshme si evropian: ai bëri thirrje për unitet dhe kërkoi më tepër integrim në BE.

 

Evropë me një shpejtësi?

 

Kjo nuk përshtatet me një Evropë të dy shpejtësive, siç e planifikojnë atë Parisi dhe Berlini. Para së gjithash Presidenti Macron synon ta bëjë Eurozonën bërthamën e një grupi të integruar më fort shtetesh anëtare. Kjo është ideja e vjetër e një avantgarde evropiane. Por shefi i Komisionit kërkon që t’i pranojë në euro të gjitha shtetet, edhe ato që janë pas ekonomikisht. Por ato duhet të mbështeten.

 

Se çfarë pasojash fatale mund të ketë kur një vend më i dobët mbërthehet në korsenë e disiplinës së Euros, kjo duket në shembullin e Greqisë. Ky plan i Junckerit me siguri që do të rrëzohet në tokë si gur tek shtetet e mëdha të Eurozonës. E kundërta e së mirës këtu është të nisesh për mirë.

 

Edhe një Evropë e së njëjtës shpejtësi sipas modelit të baballarëve themelues ka kohë që është dëshmuar si jopraktike. Me rritjen e numrit të shteteve anëtare ajo ka përfunduar shumë shpesh në stanjacion të institucionalizuar. Ky tren ka kohë që ka ikur dhe ka ikur në drejtim tjetër.

 

Degë ulliri për Evropën Lindore

 

Krizën aktuale me shtetet e Vishegradit nga ana tjetër, Jean-Claude Juncker e kaloi në mënyrë elegante. Ai i ftoi shprehimisht shtete të Evropës Lindore që t’i afrohen zonës së Shengenit dhe Euros, por nuk i vuri në shtyllën e turpit Poloninë dhe Hungarinë për shkak të mungesës së sundimit të ligjit.

 

Nga pikëpamja politike ky është veprim i zgjuar, por ai anashkalon konfliktin, të cilin duhet ta përballojnë Komisioni dhe qeveritë e BE. Kjo grindje e hidhur nuk përshtatet me pamjen pozitive të së ardhmes së Evropës, të cilën e skicon Jean-Claude Juncker. Por ky debat duhet të zhvillohet dhe nuk mund të fshihet nën qilim. Dhe ai përmban potencial shumë shkatërrimtar.

 

Kufij të qartë ndaj Turqisë

 

Me refuzimin për një anëtarësi në BE të Turqisë, shefi i Komisionit flet atë që kanë në zemër shumica në Evropë. Dhe për këtë ai gjeti fjalë të qarta. Ai kërkoi lirimin e gazetarëve të arrestuar dhe fundin e fyerjeve në drejtim të qeverive evropiane.

 

Njëkohësisht, Juncker-i nuk dëshiron t’i japë shansin Presidentit Erdogan që t’ia lërë në derë BE ndërprerjen e bisedimeve. Dora e evropianëve mbetet e zgjatur për demokratët në vend, ky ishte mesazhi. Dhe bisedimet e anëtarësimit mbeten në vend aty ku janë: të bllokuara. Për ndërprerje nuk bëhet fjalë, çfarëdo që të kërkohet në fushatën elektorale në Gjermani. Një shumicë e shteteve anëtare të BE mbështet për momentin këtë linjë diplomatike.

 

Së bashku në udhëtimin e madh

 

Ky ishte një fjalim që u dha të drejtë shumë vetëve dhe e synoi këtë. Ai përmbante oferta në të gjitha drejtimet: mbrojtje të investorëve përballë Kinës për Presidentin e Francës Macron, lëvdata dhe mbështetje për Italinë në krizën e refugjatëve, ndihmë për Afrikën dhe një sërë masash për forcimin e brendshëm të BE. Këtu bën pjesë një lloj FBI-je evropiane njësoj si shkrirja e posteve presidenciale në Evropë.

 

Një pjesë e këtyre ideve pritet që të kundërshtohen nga qeveritë e BE. Por ideja bazë është e drejtë. Brexiti e detyron Evropën që të afrohet dhe rrit ndërgjegjësimin për vlerat e saj. BE duhet ta shfrytëzojë gjendjen e mirë ekonomike dhe hapësirën politike të veprimit, për të zbatuar disa reforma të domosdoshme. Sepse siç e di çdo lundërtar: pas erës së mbarë dikur pason bunaca tjetër.

 

Marre nga Deutsche Welle

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *