Joshua Kimmich humb babanë e tij, njeriu që sakrifikoi shumë në ëndrrën e tij

Joshua Kimmich nuk ishte i pranishëm në ndeshjen e djeshme ndaj Arsenalit, pasi babai i tij Berthold Kimmich, ndërroi jetë në moshën 57-vjeçare.
Babai i mesfushorit gjerman ishte një figurë kyçe në rrugëtimin e tij drejt futbollit profesionist.
Që kur Joshua ishte i vogël, Berthold bënte udhëtime të gjata me makinë për ta dërguar në Stuttgart, duke sakrifikuar kohën dhe energjinë e tij që i biri të ndiqte ëndrrën për t’u bërë futbollist.
Pavarësisht vështirësive dhe kritikave nga njerëzit e zonës ku jetonin, ai nuk hoqi dorë kurrë nga mbështetja për të birin, duke besuar te talenti dhe potenciali i tij.
Sot, Joshua Kimmich konsiderohet ndër mesfushorët më të mirë në botë, por pas suksesit të tij qëndron edhe përkushtimi i një babai që besoi tek ai që në hapat e parë.
Një humbje e rëndë për futbollistin e Bayern Munichut, i cili në këto momente ka nevojë për mbështetjen e familjes dhe njerëzve të tij të afërt.




