“Jo çdo arrestim përfundon në burg”/ Zv.ministrja e Brendshme flet për protestuesit e ndaluar

Arrestimet gjatë protestave të fundit në Tiranë dhe vendimet e gjykatës për protestuesit e ndaluar kanë ngritur pikëpyetje mbi mënyrën se si funksionon zinxhiri i drejtësisë, nga policia te prokuroria dhe gjykata.
E pyetur për këtë çështje nga moderatori Aleksandër Furxhi në edicionin informativ në Vizion Plus, zv.ministrja e Brendshme, Silva Caka, theksoi se këto institucione nuk duhet të japin domosdoshmërisht rezultate të njëjta, pasi janë të pavarura nga njëra-tjetra.
Znj. Caka pranoi se disa arrestime mund të zhvlerësohen nga gjykata, ndërsa bëri të ditur se ka edhe vendime që kanë vlerësuar si të ligjshme disa masa arresti, por kanë vendosur lirimin e protestuesve.
Pjesë nga intervista:
Ka një opinion se policia pretendon ose thotë se kap në flagrancë individë që janë duke kryer akte dhune apo shkatërrimi në qytet, mirëpo nuk rezulton kështu në zinxhirin më pas me prokurorinë dhe me gjykatën. Si po funksionon sipas opinionit tuaj sistemi polici, prokurori, gjykim, drejtësi?
Zv.ministrja e Brendshme, Silva Caka: Po unë nuk mendoj që këto të treja duhet të përputhen domosdoshmërisht me njëra-tjetrën. Edhe në normalitet, jo domosdoshmërisht një rast i referuar nga policia mund të hetohet nga prokuroria apo edhe mund të jepet një vendim pastaj i cili vlerëson domosdoshmërisht një masë arresti të policisë së shtetit. Nëse kjo do të ndodhte pastaj, nëse shifrat do të raportonin me njëra-tjetrën, do të kishim një tjetër aludim apo një tjetër pretendim, i cili nuk i takon një shteti ku pushtetet janë të ndara nga njëri-tjetri. Normalisht që situata nuk ka qenë një situatë normale. Patjetër që edhe disa arrestime mund të zhvlerësohen nga gjykata. Madje sot ka dalë një vendim gjykate i cili ka vlerësuar dhe ka njohur si të ligjshme disa masa arresti, por ka zgjedhur ose ka vendosur që protestuesit t’i lërë të lirë, sepse jo gjithmonë gjithçka që ekuivalentohet ose vlerësohet nga policia e shtetit mund të ndodhë të ketë të njëjtin vendim apo të njëjtin gjykim edhe gjykata.
/vizionplus.tv



