Subscribe

Për herë të parë pasi gjykata i dha të drejtë Sali Berishës duke njohur ndryshimet statutore të 11 dhjetorit, kryetari i komanduar i PD-së Enkelejd Alibeaj mblodhi grupin parlamentar demokrat këtë të enjte.

 

Pjesë e mbledhjes ishte edhe ish-kryeministri Berisha, i cili nuk ulej në atë tryezë që pas vendimit të 9 shtatorit kur u përjashtua nga grupi, pas shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Prania e Berishës shkaktoi debate mes tij dhe Alibeajt, teksa ky i fundit i kujtoi se është i paftuar në mbledhje për shkak të vendimit të SHBA-së dhe se duhet të bëjë hapa pas për të bashkuar demokratët.

 

Por tashmë me vendimin e gjykatës në favor të tij, Berisha tha se vendimi i Lulzim Bashës për ta përjashtuar është anti-statutor dhe se të vetmet vendime që mund të respektohen janë ato të Komisionit të Rithemelimit.

 

Përplasja mes tyre vijoi edhe në deklaratat për mediat pas mbledhjes. Enkelejd Alibeaj përsëriti edhe një herë kushtet për bashkimin e PD.

 

ENKELEJD ALIBEAJ

KRYETAR I KOMANDUAR I PD

“Sinjalet nuk mund të jepen duke pushtuar selinë duke ardhur në mënyrë të dhunshme në grupin parlamentar ndërkohë që Berisha nuk është pjesë e grupit parlamentar. Berisha nuk është pjesë që nga 9 shtatori. Për të gjetur gjuhën e përbashkët, ca akte të rëndësishme duhen bërë. Duhet të ndërpritet gjuha lincuese. Proceset paralele për të thelluar ndasinë nuk japin sinjale bashkimi. Të ndërpritet kjo gjuhë dhe këto procese të njëanshme. Duhet të shmanget gjuha e linçimit, kjo është një atmosferë pushtimi .Duke u ndërprerë këto është hapi i parë drejt bashkimit. Që të jemi fitues, duhet që Sali Berisha, jo si kusht por si nevojë, si një sinjal bashkimi edhe ai të tërhiqej.”

 

Por kur i kërkohet të mbajë të njëjtin qëndrim si Lulzim Basha dhe të tërhiqet, Sali Berisha tha se humbësi nuk krahasohet dot me fituesin.

 

SALI BERISHA

ISH-KRYEMINISTER

 “Vendimi që pretendon Alibeaj është nul dhe nuk ekziston. Ky është qëndrimi i bazuar në të gjitha ligjet e PD. Të krahasosh fituesin me humbësin, është gabim i madh. Mbledhje Grupi do ketë patjetër, është organ legjislativ i PD që do bëjë debate për gjithçka. Mendoj se është rast unik që PD të bashkohet edhe në diversitetin e saj. Ka një diversitet i cili e bën edhe më demokratike PD. Është pjesë e grupit.”

 

Vetë Lulzim Basha nuk ishte pjesë e mbledhjes, por për Berishën, dyert e selisë, tashmë të veshura me logot e Komisionit të Rithemelimit, janë të hapura edhe për të.

 

Përgjigjen Sali Berishës ish-kryedemokrati zgjodhi t’ja japë nga ambientet e Parlamentit, ku tregoi edhe arsyen pse nuk mori pjesë në mbledhje.

 

LULZIM BASHA

ISH-KRYETAR I PD

“Do marr pjesë në mbledhje sa herë t’i shërbeje grupit të PD dhe jo kur i shërben presionit të drejtpërdrejt. Një nga arsyet e aktit tim ka qenë pikërisht tejkalimi i interesave personale për t’i dhënë mundësi që të diskutojmë dhe vendosim pa qenë në presion. Kjo ka qenë dhe arsyeja që vendosa të mos marr pjesë në mbledhjen e sotme, e cila u paralajmërua që dje që kishte gjasat të përfundonte në një konfrontim. Kam bërë dhe do bëj gjithçka që PD të kthehet tek vlerat mbi të cilat është themeluar. Një nga vlerat është orientimi euro-atlantik. E kam të qartë rrugën që duhet të përshkruajë PD për të qenë një alternativë. Ujërat janë akoma të turbullta, por do qartësohen.”

 

Pavarësisht dorëheqjes nga drejtimi i partisë, Lulzim Basha ritheksoi se do të punojë për një PD të bashkuar, që nuk kundërshton aleatët e saj strategjikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *