Kremlini tha sot se dëshiron që situata në Siri të “stabilizohet sa më shpejt të jetë e mundur” pas rënies së aleatit të saj, presidentit sirian Bashar al-Assad, ndërsa dënoi sulmet izraelite dhe vendosjen e ushtrisë izraelite pranë Lartësive të Golanit të pushtuara.
“Ne do të dëshironim që situata në vend të stabilizohej sa më shpejt të jetë e mundur, në një mënyrë ose në një tjetër,” u tha gazetarëve zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.
Peskov vlerësoi se qindra sulme të ndërmarra nga Izraeli kundër pozicioneve strategjike në Siri dhe vendosja e trupave izraelite në zonën tampon midis Lartësive të Golanit dhe Sirisë “nuk kontribuojnë aspak në stabilizimin e situatës në një Siri tashmë të destabilizuar”.
Zëdhënësi i qeverisë ruse theksoi gjithashtu se Moska është “në kontakt” me autoritetet e reja në Siri në lidhje me fatin e dy bazave ushtarake ruse në vend, bazës detare në Tartus dhe aeroportit ushtarak në Khmeimim.
“Ne mbajmë kontakte me ata që kontrollojnë situatën në Siri, është e nevojshme sepse kemi një bazë atje dhe një delegacion diplomatik. Dhe çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë e këtyre objekteve janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, theksoi Peskov.
Rusia ka qenë, së bashku me Iranin, aleati kryesor i Asadit dhe ka ndërhyrë ushtarakisht në Siri që nga viti 2015. Një zyrtar i lartë rus konfirmoi dje, të martën, se presidenti sirian, i cili u rrëzua nga rebelët radikalë islamikë, është arratisur në Rusi.
I pyetur se sa është dobësuar ndikimi i Moskës në rajon nga rënia e Asadit, zëdhënësi i Kremlinit u përgjigj se Rusia mban kontakte me të gjitha vendet e rajonit dhe do të vazhdojë të bëjë këtë.
Megjithatë, Peskov theksoi se prioriteti i Moskës mbetet “operacioni special ushtarak” në Ukrainë.
“Operacioni special ushtarak është prioriteti absolut për vendin tonë: ne duhet të sigurojmë interesat e popullit tonë rus dhe ne do të bëjmë,” tha ai.
“Të gjitha objektivat e operacionit special ushtarak do të arrihen”, shtoi ai./vizionplus.tv





