Agjencia kundër korrupsionit e Ukrainës akuzoi sot ish-zëvendës shefin e kabinetit të presidentit Volodymyr Zelensky për pasurim të paligjshëm prej rreth 400,000 dollarësh në mes të inkursionit të Rusisë në vend.

Që nga fillimi i luftës në shkurt 2022, disa skandale korrupsioni janë zbuluar në Ukrainë, madje edhe brenda forcave të armatosura dhe agjencive qeveritare.

Sipas Byrosë Kundër Korrupsionit, ish-zyrtari Andrei Smirnov, ka blerë pasuri të paluajtshme dhe automjete me para me origjinë të paqartë.

“Këto janë dy makina Mercedes-Benz dhe Volkswagen, dy motoçikleta Honda dhe BMW, tre vende parkimi në Kiev, një apartament në Lviv dhe një truall në Transcarpathia”, tha agjencia.

Shumicën e automjeteve dhe pronave i dyshuari ia ka transferuar vëllait të tij, duke rezervuar të drejtën që t’i disponojë sipas dëshirës.

Smirnoff u fajësua në mars dhe mund të përballet me 10 vjet burg nëse shpallet fajtor.

Ukraina, e cila u përball me probleme serioze korrupsioni edhe para pushtimit rus, është zotuar të shtojë përpjekjet për të luftuar këtë plagë, duke aspiruar për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe për të qetësuar kreditorët e saj ndërkombëtarë.

Në fillim të majit, Ministri i Bujqësisë Mikola Solski dha dorëheqjen pasi u akuzua për përvetësim të tokave shtetërore.

Në vitin 2023 edhe ministri i Mbrojtjes Oleksii Reznikov dha dorëheqjen pas skandalit të keqpërdorimit të fondeve publike për blerjen e municioneve dhe pajisjeve për ushtarët./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *