Nga Tirana tek Partizani, dy klube me një rivalitet të madh në historinë e futbollit tona, të cilat në këtë sezon kalojnë nga duart e të njëjtit trajner, Orges Shehi. Pasi drejtoi Bardheblutë nga janari i 2021 deri pak javë më parë, tekniku durrsak nis tashmë një aventurë të re tek “demat e kuq”, aty ku ka luajtur 4 sezone si portier. Gjatë prezantimit zyrtar Shehi nuk e fshehu lumturinë për këtë rikthim.

“Sigurisht që kur kalon nga një klub në një tjetër, kur dihet që të dyja klubet kanë histori të madhe dhe janë rivalë të përjetshëm, sigurisht që ka pak dozë emocionale. Por jam shumë i kënaqur dhe i lumtur që kthehem te Partizani. E shikoj që ka ndryshuar goxha nga periudha që kam qenë, si në infrastrukturë por dhe sa i përket ecurisë dhe titujve. Kështu që na mbetet një punë e madhe për ta mbajtur në këto standarde por edhe për ta çuar dhe më lartë.”

Shehi nuk pranoi të komentojë detaje nga gjyqi i ndarjes me Tiranën duke e konsideruar çështje profesionale dhe jo personale. Ai tha se e ka fokusin nga e ardhmja duke kërkuar trofe me Partizanin.

“Renditja, me këtë formulë që ka kampionati, nuk është një gjë që gjithë njerëzit që punojnë i vë në presion. Dihet që “Final 4” është e vëçant këtë vit. Unë kam gjetur një skuadër që para pak ditësh fitoi një trofe. Janë mendimet që çdo trofe që luhet duhet bërë maksimumi për ta fituar. Kështu që gjej një skuadër kompetitive, të paktën nga informacionet që kam nga brenda dhe jashtë. një skuadër me dëshirë, me djem të rinj që duan të ecin përpara. Është shumë e rëndësishme ego dhe dëshira, përpos cilësive që kanë.”

Me ardhjen e Orges Shehit në krye të stolit, Arbër Abilaliaj do rikthehet të bëjë me kohë të plotë drejtorin sportiv. Partizani aktualisht është i dyti në Superiore pas Egnatias me 5 pikë diferencë./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *