Ish-miss Italia e vitit 2007, i dashuri i së cilës i hodhi acid në fytyrë, ka rrëfyer në televizion tragjedinë e saj pas sulmit të tmerrshëm me acid.

 

 

Gessica Notaro ka qenë e ftuar te shfaqja e Maurizio Constanzo këtë javë për të treguar gjithë historinë.

 

 

Fillimisht 28-vjeçarja e ka pasur fytyrën të mbuluar me një shall, por më pas vendosi ta heqë atë duke iu drejtuar publikut: “Dua që të shikoni atë që më bëri ai”.

 

Pas ndarjes nga i dashuri Jorge Edson Tavares, i cili e keqtrajtonte, ajo vendosi ta denonconte në polici dhe kjo e fundit i dha urdhër që mos t’i afrohej.

 

 

Disa muaj më vonë, ish-i dashuri mori hak kundër saj duke i hedhur acid në fytyrë dhe duke e shpërfytyruar.

 

 

Tashmë ai ndodhet në paraburgim në pritje të dënimit nga gjykata.

 

 

 

“Pasi ai më hodhi acid në fytyrë, u ula në gjunjë dhe iu luta Zotit: Më merr bukurinë, por më lër pas shenjat”,- tha Notaro, e cila tregoi se kishte qenë në spital për 2 muaj pas sulmit të tmerrshëm, ndërkohë që vijonte me operacionet për plagët e marra. Ajo tregon se fliste me vizitorët vetëm përmes një dritareje nga dhoma ku qëndronte, pa i takuar ata.

 

 

Tashmë ajo duhet të presë sa të kryejë një operacion të plotë plastik që do ta lehtësonte nga barra e pamjes, por edhe e dhimbjes që përjeton, për të cilën shpenzon 600 £ çdo muaj.

 

 

Notaro e takoi Tavares 3 vjet më parë kur të dy punonin në një akuarium delfinësh. Por pas ndarjes me të, ai u bë tepër xheloz dhe filloi ta përndiqte ngado, madje duke e kërcënuar se do t’i hidhte acid. Bukuroshja e kishte mbuluar makinën e saj me një shtresë që ndalonte depërtimin e acidit.

 

 

Por Tavares përfitoi nga një moment pakujdesie i Notaros dhe i shkoi nga pas makinës duke i hedhur acidin në fytyrë.

 

 

 

 

“Ndjeva shishen plastike në fytyrë. Më pas ai e derdhi të gjithë acidin në fytyrën time dhe u sigurua ta derdhte të gjithin pa mbetur asnjë pikë. Fytyra filloi të më digjte dhe dalëngadalë nuk po shikoja asgjë”,- rrëfen ajo, duke shtuar se sulmi e ka lënë me pasoja fizike dhe psikologjike sepse përherë ka për të pasur frikë të dalë nga shtëpia në të ardhmen.

 

 

Në fund ajo ka një mesazh për ish-të dashurin e saj.

 

 

“Do të doja të më shikonte tani atë që bëri. Kaq dua”,- tha Notaro.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *