Investimi në aksin Shirokë–Zogaj po transformon një nga zonat me potencialin më të madh turistik në territorin e Bashkisë Shkodër. Ndërhyrja në këtë segment rrugor po përmirëson ndjeshëm aksesin drejt vijës liqenore, duke lehtësuar lëvizjen e banorëve, vizitorëve dhe mjeteve që përshkojnë këtë aks.
Për vite me radhë, rruga e amortizuar dhe kushtet e vështira të qarkullimit përbënin një pengesë për zhvillimin e plotë të kësaj zone.
“Kjo rrugë është shumë e mirë ka dalë në dritë se këtu nuk këmbëheshin dot dy makina. Ku ka rrugë ka zhvillim”
“Tani kjo rrugë na ka prek direkt, natyra dhe zoti e ka bekuar këtë vend dhe rruga ishte e mjerueshme tani ka lezet”.
Me realizimin e investimit ne aksin Shirokë–Zogaj ndryshimet po ndihen edhe në aktivitetin ekonomik. Banorët dhe sipërmarrësit e zonës e vlerësojnë pozitivisht ndërhyrjen.
“Ne që kemi biznes jemi më të kënaqur këtë vit se do ketë më shumë fluks prej rrugës. Edhe ndriçimi do bëhet, se ka qenë shumë i harruar Zogaj, tani do ketë shumë fitimprurje”.
Vija liqenore Shirokë–Zogaj është një prej destinacioneve më të rëndësishme turistike të zonës së Shkodrës, me potencial për të tërhequr më shumë vizitorë dhe për të nxitur investime e aktivitete të reja.





