Subscribe

Zonja Ambasadore, faleminderit për kohën që na dhatë. Prej janarit të këtij viti, Holanda ka Presidencën e radhës së Këshillit të Bashkimit Europian. Çfarë mund të na thoni mbi punën që po bën vendi juaj si kryesuese e BE?

“Kemi qenë shumë të zënë me krizën e emigrantëve, e cila ka pasur përqendrimin tonë total dhe kemi qenë të aftë të punojmë me Turqinë, po punojmë me të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europian, për të marrë masa europiane të gjithë së bashku. Këto masa kanë të bëjnë me krijimin e kushteve më të mira për refugjatëve në rajon, në punën për regjistrimin e refugjatëve, të kemi një bashkëpunim më të ngushtë në kontrollin e kufijve, si dhe sigurisht në parandalimin e dhunës në Siri. Është një detyrë e vështirë, por ne jemi optimistë se bashkëpunimi mes vendeve anëtare po përmirësohet gjithnjë e më shumë.”

Zonja Ambasadore, të flasim për situatën në Shqipëri. Klasa politike shqiptare prej kohësh debaton mbi reformën në drejtësi, për të cilën rinisi diskutimi pas një bllokimi disajavor. Cili është komenti juaj mbi këtë proces kaq të rëndësishëm?

“Mendoj se është shumë e rëndësishme që Parlamenti ka rifilluar dialogun. Mendoj se reforma në gjyqësor është shumë e rëndësishme për Shqipërinë. Kjo jo se komuniteti ndërkombëtar e mendon kështu, por sepse kur unë flas më shqiptarët çdo ditë, kjo është çka shqiptarët kanë nevojë dhe mendoj se është e rëndësishme për vetë gjyqësorin, pasi përmes kësaj reforme do të rifitojnë besim nga qytetarët shqiptarë, por gjithashtu edhe nga investitorët e huaj që duan të investojnë në Shqipëri. Mendoj se është një lajm shumë i mirë që ata kanë rifilluar dialogun politik dhe shpresoj që shumë shpejt të shohim progres. Ky është vetëm fillimi, pasi është një proces që do të marrë kohë. Kjo është arsyeja që ne duam të shohim progres të shpejtë në këtë aspekt.”

Një ndër elementët e rëndësishëm të reformës në drejtësi është edhe “vetting”-u, skanimi i gjykatësve dhe prokurorëve. Në këndvështrimin tuaj sa i rëndësishëm është ky proces, pasi unë di që ju keni qenë mjaft kritike mbi korrupsionin në gjyqësorin shqiptar?

“Këtë proces e vlerësoj shumë të rëndësishëm, pasi gjyqësori shqiptar duhet të rifitojë besim. Ata kanë nevojë të rikthejne neutralitetin, të cilin presupozohet që sistemi gjyqësor duhet të ketë. Po ashtu edhe profesionalizmin. Mendoj se nëse gjyqtarët dhe prokurorët do të kontrollohen, kjo do të jetë pikënisja që sistemi gjyqësor do të marrë funksionimin e duhur. Duhet të dini se për shembull në Holandë, të jesh gjyqtar është një ndër profesionet më të larta dhe të respektuara. Dhe kjo jo vetem për shkak se qytetarët e shprehin, por sepse ata e ndjejnë kështu. Shpresoj që i tille të jetë edhe këtu në Shqipëri, pasi është e rëndësishme për qytetarët, për kompanitë, pasi kur ke një problem duhet të mbështetesh dhe të besosh tek sistemi gjyqësor. Prandaj procesi i kontrollit është kaq shumë i rëndësishëm dhe për atë çfarë do të ndodhe më pas.”

Zonja Ambasadore, Europa përballet më një situatë të vështirë si pasojë e krizës së emigrantëve, njerëz që mbërrijnë nga Siria dhe vende të tjera të përfshira në konflikte të armatosura. Por ka edhe azilkërkues nga vende të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, të cilët i janë drejtuar Europës, Hollandës gjithashtu. A keni një koment?

“E them me keqardhje se me të vërtetë numri i azilkërkuesve nga Shqipëria është rritur në mënyrë shumë të lartë gjatë muajve të fundit, por edhe gjatë viteve të kaluara. Kjo është një situatë e vështirë, pasi Shqipëria është një vend i sigurt, një vend i cili ka marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Europian. Nëse je shqiptar dhe shkon në Holandë, nuk do të marrësh azil politik, aspak. Është humbje e parave dhe mundimeve që të përpiqesh të shkosh në Holandë. Mendoj se është shumë e rëndësishme të përqendrohesh për të krijuar mundësi këtu në Shqipëri, të shohësh mundësinë të punosh dhe të jetosh në këtë vend. Ky duhet të jetë qëllimi i njerëzve, sepse të kalosh përmes rrugës së azilkërkimit është e sigurt se do zhgënjehesh.”

Pra nuk ka asnjë shans që shqiptarët të përfitojnë azil?

“Askush nuk merr azil, sepse azili është një masë politike. Shqipëria konsiderohet si një vend i sigurt, është vend kandidat në BE, dhe kjo nuk është rruga e duhur. Njerëzit që kërkojnë azil, nuk legjitimohen për azil dhe do të kthehen në Shqipëri. Ashtu sikurse po kthehen ndërkohë.”

Zonja Ambasadore, zyrtarë të lartë europianë shprehen se mbështesin procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit dhe Shqipërisë konkretisht. Por unë di që zgjerimi nuk është pjesë e prioriteteve të Presidencës holandeze të BE-së. Përse? Ndoshta nga e ashtuquajtura “lodhje nga zgjerimi”?

“Presidenca holandeze ka tre prioritete të qarta, çështje të cilat janë në krye të axhendës së të gjitha vendeve anëtare për momentin. E para është migracioni dhe siguria, e dyta krijimi i vendeve të punës dhe krijimi i një ekonomie më innovative për Bashkmin Europian dhe e treta ka të bëjë me zbatimin e marrëveshjes së Parisit për çështjet klimaterike dhe lidhja më e ngushtë me qytetarët. Sigurisht procesi i integrimit të rajonit të Ballkanit është pjesë e axhendës, të cilën e kemi përcaktuar të gjithë bashkë. Por duhet t’ju them se duhen dy vetë për të kërcyer tango. Mendoj se është e qartë për vendet e Ballkanit, se çfarë është në axhendën e tyre, se çfarë eshte e nevojshme të bëjnë dhe në fakt ata duhet t’i bëjnë. Në këtë aspekt Hollanda, si mbajtësja e Presidencës së BE-së mban pozitën e të qënurit neutral, të një ndërmjetësi të drejtë dhe të paanshëm dhe do të ofrojmë asistencë për procesin, ashtu sikurse është rënë dakord me të gjitha vendet e Ballkanit.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *