Festivali i Shkencës, i cili zhvillohet për herë të parë në shkollat e vendit, ka sjellë në vëmendje, mes të tjerash, edhe nevojat e personave me aftësi të kufizuar.Ky është rasti i shkollës “Ismail Qemali” në kryeqytet. Nxënësit e kësaj shkolle kanë prezantuar krijimin e një fushe basketbolli të pajisur me sisteme alarmi dhe vibrimi, që sipas tyre do të ndihmonte në integrimin e personave me probleme në shikim.
“Ideja lindi duke qenë se pjesëtarët e grupit tonë e kemi zhvilluar shumë sportin e basketbollit, ndërsa për të dhënë një ide inovative menduam ta përshtatim për personat me aftësi të kufizuar. Afërsisht ka marrë diku të një muaj e gjysmë për ta zhvilluar”, tha një nxënës.
Nxënësit shprehen të bindur se ky projekt do t’u jepte mundësinë të shijonin këtë sport kaq argëtues, njësoj si të gjithë të tjerët.
“Nuk është se kishte një kosto shumë të lartë dhe nuk është e ndërlikuar për tu krijuar, kështu që përderisa edhe personat me aftësi të kufizuar mund të ndihen mirë dhe të jenë të përfshirë në cdo aktivitet, do të ishtë një gjë shumë interesante për tu përfshirë në shkollat shqiptare”, u shpreh një nxënës tjetër.
Në kryeqytet janë prezantuar 107 projekte nga nxënësit e shkollave të mesme, që përfshijnë fusha të ndryshme si optika, sensorët, robotika, fizika dhe gjeologjia. Nga kjo fazë, 13 projekte janë përzgjedhur për të kaluar në fazën e tretë, që do të zhvillohet nga 6 deri në 30 prill./vizionplus.tv





