Çmimet e energjisë në tregun e huaj janë deri në 400 euro per megavat dhe jo vetëm që nuk do të ulen, por gjatë muajve të verës pritet të rriten më tej.

 

Në këto kushte, sytë po kthehen tek energjia e rinovueshme. Qe kur u shpall emergjenca energjetike në tetor të vitit të shkuar, ka pasur një bum aplikimesh nga ana e bizneseve për të instaluar panelet fotovoltaike.

 

SHKELQIM MEMUSHAJ

BIZNES, PANELE FOTOVOLTAIKE

 

“Kur u shpall kriza, kishte goxha interes, por nga janari e këtej, interesi u kthye në investime. Çdo vit puna ka ardhur duke u dyfishuar, këtë vit është pesëfishuar. Kemi pasur goxha punë për të instaluar panele fotovoltaike sepse njerëzit e kanë kuptuar që vërtet kursehet. Kostoja e instalimit kthehet brenda 3-4 vitesh për një biznes. Gjatë verës kursehet 100% fatura e energjisë, ndërsa gjatë dimrit, varet nga ditët me diell, por mund të kursejë deri në 50%.”

 

Krenar Bregu përfaqëson një prej bizneseve të interesuara për panelet diellore për të kursyer. Si një biznes që merret me prodhimin dhe paketimin e produkteve ushqimore, fatura e energjisë për të shkon deri në 200 mijë lekë në muaj. Vendosja e paneleve do t’i kushtonte deri në 120 mijë euro, varësisht nevojës, por pret që brenda pak vitesh, ky investim t’i kthehet.

 

KRENAR BREGU

BIZNESMEN

“Duke parë çmimin e energjisë elektrike që rritet nga dita në ditë, tregu i energjisë është i pasigurt dhe panelet diellore janë e ardhmja. Buxheti është pak problem sepse është e pamundur të përballohet 100% në këtë kohë dhe presim të mbështetemi nga bankat. Në rastin tim, fatura finale e projektit mund të shkojë deri në 120 mijë euro me idenë që ky investim të na kthehet për 7-vjeçar.”

 

Por pasiguria e krijuar nga çmimet ka detyruar edhe familjarët ta shohin si mundësi instalimin e paneleve në shtëpitë e tyre me një faturë që shkon deri në 5 mijë euro.

 

GAZMEND LUKAJ

KRYEFAMILJAR

“Interesohem për të investuar në panelet fotovoltaike për shkak të ndryshimeve të vazhdueshme në treg. Me anë të paneleve fotovoltaike presim të reduktojmë faturën e energjisë në 70-80%. Çmimet mund t’i përballojmë përmes financimit të bankës.”

 

Megjithatë, për vetëprodhuesit e energjisë ka një ngërç ligjor.

 

Tepricat e prodhuara nga panelet, i kalojnë OSHEE-së, por ata kërkojnë që të kompensohen për to. Nga ana e qeverisë premtohet se brenda vitit ky problem do të jetë i zgjidhur dhe do të ketë një çmim të përcaktuar për tepricën.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *