Çmimet në prill në Mbretërinë e Bashkuar janë rritur më shumë se kurrë më parë prej vitit 1982, duke shtuar vështirësitë sociale tek britanikët më të varfër. Mallrat dhe shërbimet kanë kushtuar në prill mesatarisht 9.0 përqind më shumë se një vit më parë, kumtoi të mërkurën (18.05) Zyra Kombëtare e Statistikave në Londër. Sekretarja e Shtetit Liz Truss shprehu alarmin në Sky News: “Jemi në një situatë shumë, shumë të vështirë ekonomike.”

Politikanja konservatore foli për probleme shumë serioze në çështjen e rritjes së çmimeve, ndërsa inflacionin në Britaninë e Madhe e quajti jashtëzakonisht të lartë. Banka e Anglisë pret që inflacioni të arrijë në 10% gjatë vitit.

Energjia dhe ushqimi janë shtytës të çmimeve

Energjia e shtrenjtë dhe rritja e çmimeve të ushqimit po e nxisin në veçanti inflacionin. Sipas një sondazhi të institutit Ipsos, rritja e shpejtë e kostos së jetesës po godet rëndë qytetarët e ishullit, sepse dy në tre britanikë po e fikin ngrohjen për të kursyer shpenzimet. Madje më shumë se një e katërta e të anketuarve thonë se i anashkalojnë vaktet e ushqimit gjatë ditës, për shkak të buxheteve të tyre të ngushta.

Kjo situatë po bën që të rritet pakënaqësia e popullatës me qeverinë e kryeministrit konservator, Boris Johnson. Në një anketë të institutit YouGov, 72 përqind e britanikëve thanë, se qeveria po e menaxhon keq ekonominë. Në të njëjtën kohë, thirrjet po bëhen gjithnjë e më të forta për rritjen e asistencës sociale në mënyrë që të lehtësohen shtresat më të varfra të popullsisë për shkak të rritjes së shpejtë të kostos së jetesës.

Ministri i Financave flet për “problem mbarëbotëror”

Ministri i Financave Rishi Sunak thotë se inflacioni i lartë është një problem global. Qeveria nuk mund t’i mbrojë plotësisht qytetarët nga rreziqet. Ajo bën atë që mundet dhe është e gatshme të bëjë më shumë.

Me 3,7 përqind, papunësia ka rënë në nivelin më të ulët që nga viti 1974. Por fuqia blerëse po zvogëlohet, pasi rritja e pagave nuk është aspak afër kompensimit të kostos më të lartë të jetesës. Ndërkohë ka shenja se inflacioni do të vazhdojë të rritet në vendin që është shkëputur nga BE-ja. Në prill, çmimet në disa fabrika u rritën me 14 përqind krahasuar me një vit më parë – që është rritja më e madhe që nga korriku 2008.

Banka Qendrore në Londër tashmë po lufton inflacionin në rritje, duke rritur normat e interesit. Ajo ka rritur për herë të katërt normat brenda gjashtë muajve, ajo rriti normën bazë të interesit me 0,25 pikë në 1 për qind në fillim të muajit. Normat bazë të interesit nuk kanë qenë kaq të larta në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2009./DW

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.