Subscribe

Ndonëse morën dozën e parë të injeksionit, drejtuesi i shtëpisë të të moshuarve në Gjirokastër dhe financierja e këtij institucioni janë konfirmuar pozitiv me Covid-19.

Mësohet se kryefinancierja, Klodiana Qirushi u infektua një ditë pasi bëri vaksinën, ndërsa drejtori Arjanit Muho katër ditë më pas.

Ata u vaksinuan në datë 19 shkurt. Ky është rasti i dytë kur të vaksinuarit rezultojnë pozitiv me Covid. Më herët ka qenë mjeku Pëllumb Pipero, ai që vuajti pasojat e Covid ndonëse ishte vaksinuar.

Për autoritetet shëndetësore, infektimi është diçka e pashmangshme, pasi vaksinës i duhet një periudhë afro gjashtë javore për të nxitur zhvillimin e imunitetit në trup.

Ndërkohë, në Vlorë të moshuarit mbi 90 vjeç u paraqitën këtë të hënë pranë pallatit të sportit për të marrë injeksionin kundër virusit “sars cov2”.

“Jam 91 vjeç, po pres se më ka lajmëruar mjekja e lagjes për sot që do të vaksinohem.”

“Jam 90 vjeç më ka lajmëruar mjeku dhe do të vaksinohem sot.”

Ndonëse ishin pajisur me rekomandimin e mjekut të familjes, të moshuarit u larguan të revoltuar pasi nuk u vaksinuan ashtu siç ishte parashikuar. Ata thanë se shkak u bë mungesa e vaksinave.

“Na thanë s’ka vaksina, pritëm kot, na gënjejnë. Nuk vijnë vaksina sot na thonë, për nesër na thanë. Na munduan kot, tallen me ne, nuk na thanë as kur do vijmë. Duhet të vijë kartela personale nga mjekja për sëmundjet shoqëruese, s’kanë ardhur akoma.”

Autoritetet mohuan akuzat për mungesë vaksinash, por nuk dhanë një shpjegim lidhur me largimin nga qendra të të moshuarve.

“MAJLINDA GJIKA

PERFAQESUESE E OPERATORIT TE KUJDESIT SHENDETESOR 

Sot do vaksinohen 90-vjeçarët. I ulëm për efektin që t’i kontrollonim. Listat janë duke ardhur nga mjekët e familjes. Janë parashikuar 100 veta sot. Mund të jenë për t’u vaksinuar dhe për në familje.”

Nga ana tjetër, krahas 90-vjeçarëve të shumtë ishin dhe të moshuarit e tjerë të cilët kërkuan të bënin vaksinën.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *