Të shumta janë vajzat dhe gratë që ju drejtohen qendrave estetike, për të vendosur qerpikë artificialë. Ky trend masiv ka rritur ndjeshëm infeksionet në sy, të cilat sipas mjekëve okulistë mund të rrezikojnë edhe shikimin.
“Që të aplikohen qerpikë fallco duhet të ngjiten me diçka, pra aplikohet një ngjitës, dhe problemi kryesor fillon çfarë lloj ngjitësi përdoret, kjo mund të sjelli alergji, irritim, deri në rënien e qerpikëve natyralë. Sado e kujdesshme qoftë procedura, vetë kjo tharje krijojn një skuqje”, thotë mjeku okulist Rubin Topi.
Mjeku okulist Rubin Topi thekson se vajzat dhe gratë, duhet të informohen mirë mbi rreziqet që sjell vendosja e qerpikëve artificialë, ndërsa në asnjë mënyrë nuk duhet ta trajtojnë vetë pa u konsultuar me mjekun specialist.
“Të informohen, të shohin me kujdes, të gjejnë qendra të cilat kanë një eksperiencë shumë të mirë dhe pozitive dhe rezultate shumë të mira me këtë lloj aplikimi në mënyrë që rreziqet që këto të ndodhin të jenë sa më pak. Në rastin e parë që shikojnë që diçka nuk shkon të mos përpiqen ta trajtojnë vetë apo të shkojnë direkt në farmaci dhe të paraqiten tek mjeku specialist”, shton mjeku.
Nuk mungojnë as rastet e adoleshenteve të cilat në mënyrë të shpeshtë vendosin qerpikë artificialë, duke rritur kështu riskun e dëmtimit të syrit dhe qerpikëve natyralë./vizionplus.tv





