Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha sot se India dhe Pakistani kishin rënë dakord për një “armëpushim të plotë dhe të menjëhershëm” pas një dite të katërt sulmesh dhe kundërsulmesh kundër instalimeve ushtarake të njëri-tjetrit.
Ministri i Jashtëm i Pakistanit tha gjithashtu se të dy vendet kishin rënë dakord për një armëpushim “me efekt të menjëhershëm” dhe ministria e Jashtme e Indisë tha se ai do të fillonte në orën 17:00 sipas kohës indiane.
“Pas një nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara, kam kënaqësinë të njoftoj se India dhe Pakistani kanë rënë dakord për një ARMËPUSHIM TË PLOTË DHE TË MENJËHERSHËM. Urime të dy vendeve për përdorimin e Logjikës së Shëndoshë dhe Inteligjencës së Madhe”, tha Trump në një postim në Truth Social.
Njoftimi i papritur erdhi në një ditë kur u rritën frikërat se arsenalet bërthamore të vendeve mund të hynin në lojë, ndërsa ushtria e Pakistanit tha se një organ i lartë ushtarak dhe civil që mbikëqyr armët e tij bërthamore do të takohej.
Por ministri i mbrojtjes i Pakistanit tha më vonë se nuk ishte planifikuar një takim i tillë.
Në të njëjtën kohë, zyrtarët nga të dyja palët treguan gatishmëri për të bërë një hap prapa pas shkëmbimeve të zjarrit të asaj dite, ndërsa numri i përgjithshëm i të vdekurve civilë nga të dyja palët u rrit në 66.
/vizionplus.tv